POSTIMET E FUNDIT

Një urë e re ekonomike mes Shqipërisë, Belgjikës dhe BE-së

Bruksel, 31 Mars 2026 – Në ambientet e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës u zhvillua ceremonia zyrtare e inaugurimit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë BE–Belgjikë–Shqipëri (EUBACCI), një nismë e rëndësishme që synon të forcojë bashkëpunimin ekonomik dhe lidhjet tregtare ndërmjet Shqipërisë, Belgjikës dhe Bashkimit Evropian.

Aktiviteti mblodhi përfaqësues të institucioneve shtetërore, komunitetit të biznesit, agjencive rajonale të investimeve të Belgjikës si HUB Brussels, AWEX, përfaqësues të unionit të dhomave të tregtisë së Belgjikës dhe partnerë të tjerë strategjikë, duke krijuar një platformë të rëndësishme për dialog dhe bashkëpunim ekonomik.

Ceremonia u hap me fjalën e Presidentes së Dhomës, znj. Eneida Rrapaj, e cila prezantoi vizionin dhe misionin e EUBACCI, duke theksuar rëndësinë e krijimit të kësaj platforme për forcimin e lidhjeve ekonomike dhe mbështetjen e bizneseve shqiptare dhe evropiane.

Më pas, aktiviteti vijoi me fjalën përshëndetëse të Ambasadores së Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës, znj. Albana Dautllari, e cila theksoi mbështetjen e plotë të Ambasadës për këtë iniciativë dhe rëndësinë e saj në forcimin e marrëdhënieve ekonomike dhe diplomatike mes vendeve.

Një element i rëndësishëm i këtij aktiviteti ishte edhe prania e znj. Laura Plaku, Drejtore e Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA). Gjithashtu morën pjesë z. Julian Adili, Drejtor i ASDRE, znj. Florensa Haxhi, Drejtore e Durana Tech Park, dhe z. Dritan Delija, Drejtor i TEDA Tirana, të cilët prezantuan mundësitë konkrete të investimit dhe zhvillimit në Shqipëri, duke nxitur interesin e kompanive belge dhe evropiane për tregun shqiptar.

Gjatë aktivitetit u prezantua në detaje misioni dhe objektivat e EUBACCI, e cila synon të shërbejë si një urë lidhëse ndërmjet bizneseve, institucioneve dhe investitorëve, duke lehtësuar bashkëpunimin ekonomik, shkëmbimin e informacionit dhe krijimin e mundësive të reja për zhvillim.

Themelimi i kësaj Dhome përfaqëson një hap të rëndësishëm strategjik për komunitetin e biznesit shqiptar dhe partnerët evropianë, duke kontribuar në rritjen e konkurrueshmërisë, zgjerimin e tregjeve dhe përmirësimin e klimës së investimeve.

Aktiviteti vijoi me një sesion rrjetëzimi, duke u përmbyllur me një pritje, ku pjesëmarrësit patën mundësinë të shkëmbejnë ide dhe të eksplorojnë bashkëpunime të reja.

Rreth EUBACCI

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë BE–Belgjikë–Shqipëri (EUBACCI) është një platformë e dedikuar për të promovuar bashkëpunimin ekonomik dhe zhvillimin e marrëdhënieve tregtare ndërmjet Shqipërisë, Belgjikës dhe Bashkimit Evropian, transmeton Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Belgjikë, përcjell helveticALForum.ch

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme – Republika e ShqipërisëAgjencia Kombëtare e Diasporës

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB