Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka kujtuar 28-vjetorin e Epopesë së Dukagjinit, gjersa thekson se është ndër ngjarjet më të lavdishme të historisë. Ministri Maqedonci në një postim në Facebook shkruan se Beteja e Gllogjanit vulosi qartë se UÇK-ja nuk ishte më një vatër e kufizuar rezistence, por një ushtri e lindur nga populli dhe e shtrirë në gjithë Kosovën.
Postimi i plotë:
Epopeja e Dukagjinit është një nga ngjarjet më të lavdishme të historisë sonë të re — dëshmi e qëndresës, sakrificës dhe vendosmërisë së popullit tonë për liri.
Më 24 mars 1998, forcat okupatore serbe rrethuan Gllogjanin me synimin për ta shuar rezistencën e armatosur. Por luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dëshmuan se nuk ka rrethim, nuk ka forcë dhe nuk ka pushtues që mund ta ndalë një popull të vendosur për liri.
Beteja e Gllogjanit vulosi qartë se UÇK-ja nuk ishte më një vatër e kufizuar rezistence, por një ushtri e lindur nga populli dhe e shtrirë në gjithë Kosovën. Beteja e Gllogjanit pasoi betejën te Gjashtë Lisat në Likoshan, më 28 shkurt, si dhe qëndresën heroike e të lavdishme të Jasharajve në Prekaz, më 5, 6 dhe 7 mars 1998.
Kjo ishte rruga jonë e vetme për t’i dhënë fund sundimit dhe shtypjes shekullore të Serbisë fashiste. Ishte një luftë e drejtë, e pastër dhe e shenjtë për liri. Përballë nesh ishte një makineri gjenocidale; përballë tyre qëndronte një popull që luftonte për të jetuar i lirë.
Drejtësia e kauzës sonë solli edhe mbështetjen ndërkombëtare. Pikërisht më 24 mars 1999, një vit pas betejës së Gllogjanit, filloi ndërhyrja e NATO-s kundër caqeve serbe — moment historik që bashkoi sakrificën tonë me ndërgjegjen e botës demokratike.
Dëshmorët dhe të gjithë të rënët për liri janë themeli i Republikës sonë. Kujtimi për ta nuk është vetëm nderim, por obligim i përhershëm për ta ruajtur lirinë, shtetin dhe dinjitetin tonë kombëtar.
Sot, mbi këtë histori sakrifice dhe qëndrese, Republika e Kosovës ka ndërtuar dhe fuqizuar ushtrinë e saj — një ushtri moderne, profesionale dhe e gatshme, garanci për mbrojtjen e territorit, për paqen dhe stabilitetin, dhe garanci se gjenocidi i viteve 1998-1999 nuk do të përsëritet më kurrë. Nderimet më të larta për Epopenë e Dukagjinit. Lavdi e përjetshme dëshmorëve dhe të gjithë të rënëve për liri!./BS




