POSTIMET E FUNDIT

Kthesë e fortë e motit në Zvicër: bora rikthehet dhe pranvera tërhiqet përkohësisht

Pas disa ditësh me temperatura të buta dhe atmosferë tipike pranverore, Zvicra po përgatitet për një ndryshim të theksuar të motit që pritet të ndikojë në të gjithë vendin. Sipas meteorologut Peter Wick, kjo javë do të shënojë rikthimin e kushteve dimërore, veçanërisht në zonat malore. Fillimi i javës, veçanërisht dita e hënë dhe e martë, karakterizohet nga mot i qëndrueshëm dhe temperatura të këndshme që arrijnë deri në 17 gradë Celsius në veri të vendit.

Megjithatë, këto ditë konsiderohen si “mundësia e fundit” për të shijuar pranverën përpara përkeqësimit të kushteve atmosferike. Ndryshimi i madh pritet të ndodhë të mërkurën, kur një front i ftohtë do të kalojë me shpejtësi mbi Zvicra. Ky front do të sjellë reshje të dendura shiu, si dhe erëra të forta që mund të arrijnë shpejtësi deri në 80 km/h. Në disa zona nuk përjashtohen edhe stuhi të shkurtra. Në rajonet alpine, situata do të jetë edhe më dramatike. Reshjet e shiut do të kthehen në dëborë, ndërsa kufiri i borës do të zbresë ndjeshëm nga rreth 1200 metra në vetëm 500 metra mbi nivelin e detit.

Kjo do të thotë se edhe disa zona më të ulëta mund të përjetojnë reshje dëbore, një fenomen jo i zakonshëm për këtë periudhë të vitit. Temperaturat do të pësojnë një rënie të ndjeshme brenda pak orësh. Në zonat e ulëta, nga rreth 11 gradë në mesditë, ato mund të bien deri në 3 gradë në mbrëmje.

Të enjten pritet një mot i paqëndrueshëm me reshje të përziera – shi, borë dhe madje edhe breshër të imët (graupel), i shoqëruar me erë të ftohtë nga perëndimi. Në disa raste janë të mundshme edhe vetëtima dhe bubullima, transmeton 20min.ch Në male, deri të premten, priten nga 30 deri në 60 centimetra borë e re, ndërsa në disa zona të izoluara kjo sasi mund të jetë edhe më e madhe. Kjo situatë mund të krijojë kushte të favorshme për sportet dimërore, por gjithashtu rrit rrezikun për ortekë. Edhe në fundjavë, moti mbetet i pasigurt. Nëse qielli kthjellohet gjatë natës së së shtunës, temperaturat mund të zbresin nën zero, duke rrezikuar dëmtimin e bimëve që kanë filluar lulëzimin.

Të dielën pritet një mot më i qëndrueshëm, por ende i freskët, me temperatura që nuk do të kalojnë 8 gradë Celsius. Ndërkohë, një përjashtim i dukshëm nga ky përkeqësim i motit është rajoni jugor i Ticino, ku falë erërave veriore (fenomeni i njohur si nordföhn), moti do të mbetet kryesisht me diell dhe temperatura më të buta, duke arritur deri në 15 gradë. Ky zhvillim i papritur i motit tregon edhe një herë natyrën e paqëndrueshme të klimës pranverore në rajon, ku brenda pak ditësh mund të kalohet nga kushte të ngrohta në rikthim të dimrit. Ekspertët këshillojnë qytetarët të ndjekin me kujdes parashikimet dhe të përgatiten për ndryshime të shpejta të temperaturave, transmeton 20min.ch, përcjell helveticALForum.ch

Foto ilustim

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB