Ndërsa vende të njohura evropiane si Spanja dhe Portugalia vijojnë të jenë shumë të frekuentuara nga turistët, ekzistojnë ende destinacione më të qeta ku pushuesit mund të relaksohen larg turmave masive, shkruan Sarra Gray në një artikull të botuar në median britanike “GB News”. Këto destinacione ofrojnë plazhe piktoreske, akses të lehtë dhe çmime të përballueshme. Sipas ekspertes së udhëtimeve Laura Evans-Fisk nga kompania “Eurochange”, disa “xhevahirë të fshehur” duhet të vizitohen sa janë ende të pazbuluar, përpara se ato të mbipopullohen. Mes destinacioneve të sugjeruara janë vendpushimet në Shqipëri, Spanjë dhe Portugali, me fokus të veçantë te bregdeti shqiptar.
Ksamili dhe Porto Palermo, Shqipëri
Shqipëria po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje si një alternativë ideale për pushime verore, falë kombinimit të çmimeve të ulëta dhe natyrës së paprekur.
Ekspertja rekomandon dy zona kryesore për pushime: Ksamilin dhe Porto Palermon, pjesë e të ashtuquajturës Riviera Shqiptare.
Sipas saj, Riviera Shqiptare po shndërrohet me shpejtësi në një destinacion tërheqës dhe ekonomik në jugperëndim të vendit.
Të dhënat më të fundit tregojnë se rreth 11,7 milionë turistë vizituan Shqipërinë në vitin 2024, një rritje prej 15% krahasuar me një vit më parë – një trend që reflekton interesin në rritje për këtë zonë.
Vizitorët mund të shijojnë ujërat e kristalta, plazhet me guralecë të bardhë dhe peizazhet mbresëlënëse malore.
Ksamili, shpesh i konsideruar si “Maldivet e Evropës”, sugjerohet ndër plazhet më të bukura dhe më të preferuara, falë rërës së bardhë dhe ujërave jashtëzakonisht të kthjellëta.
Për ata që kërkojnë një atmosferë më të qetë, Porto Palermo ofron një nga gjiret më piktoresk – me një gadishull të vogël që lidhet me tokën dhe një kështjellë mbresëlënëse të shekullit XIX, që njihet si Kalaja e Ali Pashë Tepelenës.
Këto destinacione po shihen gjithnjë e më shumë si alternativa ideale për pushuesit që kërkojnë bukuri natyrore, qetësi dhe përvoja autentike larg turizmit masiv.
https://www.gbnews.com/travel/hidden-gem-beach-holidays-spain-portugal-albania / Kjonë




