Naim Tërnava, kryetar i Bashkësisë Islame të Kosovës, ka uruar të gjithë besimtarët me rastin e festës së Fitër Bajramit 2026.
Në mesazhin e tij urues, myftiu Tërnava theksoi rëndësinë shpirtërore dhe morale të muajit të Ramazanit, duke kujtuar se agjërimi dhe lutjet i ndihmojnë besimtarët të pastrojnë zemrën, të forcojnë lidhjen me Zotin dhe të kultivojnë solidaritetin ndaj të tjerëve.
Ai nënvizoi se Fitër Bajrami nuk është vetëm një festë gëzimi, por edhe një manifestim i vlerave më të larta njerëzore dhe hyjnore, duke vënë në pah rëndësinë e faljes, dashurisë dhe përgjegjësisë morale ndaj shoqërisë. Myftiu Tërnava gjithashtu inkurajoi ndihmën dhe kujdesin për të varfrit, jetimët, të moshuarit dhe të sëmurët, duke e cilësuar humanizmin si një detyrim shpirtëror që duhet të shoqërojë jetën e përditshme.
Në urimin e tij, ai përcolli edhe një mesazh global, duke u lutur që Zoti të sjellë paqe dhe mirëkuptim në botë, si dhe duke rikujtuar rëndësinë e ndërtimit të një shoqërie të drejtë dhe të moralshme.
“Le të jetë kjo festë një burim gëzimi, paqeje dhe shprese për të gjithë ju dhe familjet tuaja. Një urim i veçantë shkon për bashkatdhetarët tanë në mërgatë, të cilët, edhe pse larg atdheut, mbeten të lidhur fort me fenë, traditën dhe identitetin e tyre”, tha myftiu Tërnava.
Ai e përmbylli urimin me fjalët:
“Gëzuar Fitër Bajramin! Zoti e pranoftë agjërimin, lutjet dhe sakrificat tona! Zoti ju dhëntë paqe, begati dhe mirësi në familjet tuaja!”, transmeton rtk.




