Konsumi i lëndëve narkotike tek të rinjtë po shoqërohet gjithnjë e më shpesh me probleme të shëndetit mendor. Mjekët psikiatër thonë se vitet e fundit po vihet re një rritje e rasteve të pacientëve të rinj që kërkojnë ndihmë për çrregullime të ankthit, depresionit apo episode psikotike, të lidhura me përdorimin e substancave narkotike.

Mjekja psikiatre e QKSHM Korçë, Nikolina Bode, u shpreh për RTSH: “Shtohen vizitat që kanë të bëjnë me personat e ndjeshëm që vuajnë nga luhatje humori, çrregullime bipolare, depresive, simptomat e ankthit apo persona që kanë varësi nga substancat dhe lëndët narkotike, të cilët për shkak të energjisë që marrin bëhen më abuzues në këtë periudhë.”
Sipas Bodes, shqetësuese është edhe fakti se mosha e përdoruesve po ulet, ndërsa në rritje është edhe numri i vajzave që konsumojnë substanca të tilla.
Psikiatrët shpjegojnë se përdorimi i drogërave, sidomos në moshë të hershme, mund të ndikojë drejtpërdrejt në zhvillimin e trurit dhe të përkeqësojë probleme të ndryshme të shëndetit mendor.
Ata apelojnë për më shumë ndërgjegjësim në familje dhe në shkolla, duke theksuar se informimi dhe ndërhyrja e hershme janë thelbësore për të parandaluar përhapjen e këtij fenomeni dhe për të mbrojtur shëndetin mendor të të rinjve, transmeton rtsh.




