POSTIMET E FUNDIT

Ministri Hoxha pritet në Madrid nga homologu Albares

Tirana dhe Madridi zyrtar kanë rikonfirmuar vullnetin për të zgjeruar bashkëpunimin dypalësh, me theks të veçantë në ekonomi, turizëm dhe në procesin e integrimit evropian. Gjatë një vizite zyrtare në Spanjë, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, zhvilloi një takim me homologun e tij spanjoll, José Manuel Albares Bueno, vizitë që përkon me 40-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.

Fokus te potenciali i pashfrytëzuar ekonomik

Ndonëse bashkëpunimi politik dhe kulturor është konsoliduar ndër vite, të dy kryediplomatët ndanë qëndrimin se ekziston ende një “potencial i konsiderueshëm i pashfrytëzuar” në marrëdhëniet mes dy shteteve.

Sipas Ministrit Hoxha, qeveria shqiptare është e “përkushtuar të zhvillojë më tej partneritetin strategjik, duke vënë në shënjestër fusha me interes të ndërsjellë si tregtia, turizmi dhe energjia e qëndrueshme”. Një theks i veçantë iu kushtua sektorit të turizmit, ku u diskutua mbi mundësitë reale për rritjen e pranisë së investitorëve spanjollë në industrinë shqiptare të mikpritjes.

Mbështetje teknike dhe politike për rrugëtimin në BE

Një tjetër shtyllë qendrore e bisedimeve ishte rrugëtimi i Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Ministri spanjoll Albares vlerësoi progresin e bërë nga Tirana zyrtare dhe ritheksoi mbështetjen e palëkundur të Spanjës.

Kryediplomati spanjoll theksoi gatishmërinë e vendit të tij për t’i ofruar institucioneve shqiptare asistencën e nevojshme teknike për përmbushjen e standardeve evropiane. Nga ana e tij, Hoxha shprehu mirënjohjen e thellë për këtë mbështetje të vazhdueshme, duke rikonfirmuar “angazhimin maksimal të qeverisë shqiptare në zbatimin e reformave”.

Bashkërendim në arenën ndërkombëtare

Përtej agjendës dypalëshe, takimi në Madrid shërbeu edhe për të harmonizuar qëndrimet e dy vendeve në përballimin e krizave globale.

Përmes një reagimi në rrjetin social X pas takimit, kreu i diplomacisë shqiptare nënvizoi rëndësinë e një multilateralizmi efektiv dhe nevojën për koordinim të ngushtë në forumet ndërkombëtare. Qëllimi i përbashkët, theksoi ai, mbetet adresimi i “sfidave globale dhe promovimi i paqes, stabilitetit dhe zhvillimit të qëndrueshëm”, transmeton rtsh.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB