
Nga Dashnim HEBIBI
Shpesh dimë shumë gjëra për përkushtimin e të rinjve tanë në diasporë, por jo gjithmonë i themi apo i bëjmë publike. Të mbash gjallë një shoqëri kulturo-artistike apo një ansambël në Zvicër nuk është aspak e lehtë. Të rinjtë tanë punojnë, studiojnë dhe megjithatë gjejnë kohë të japin kontributin e tyre pa asnjë shpërblim material. Ata e bëjnë këtë nga dëshira dhe dashuria për gjuhën, kulturën dhe traditën shqiptare. Kjo është një pasuri e madhe që ruhet dhe përcillet ndër vite. Në këtë rrugëtim duhet falënderuar veçanërisht roli i prindërve. Që nga fëmijëria ata kanë punuar me përkushtim me bijtë dhe bijat e tyre, duke i mësuar se jeta nuk ka vetëm vlera materiale, por edhe vlera kombëtare e shpirtërore.
Falë këtij edukimi, sot i shohim të rinjtë tanë në skena të ndryshme duke kënduar e vallëzuar, gjë që na mbush me krenari, sidomos kur e dimë se ata kanë lindur dhe po rriten larg vendit të të parëve
Prindërit mërgimtarë meritojnë respekt të veçantë, sidomos kur fëmijët e tyre kalojnë moshën 18-vjeçare dhe kanë angazhime të shumta në jetën e tyre. Megjithatë, fjalët dhe edukata e prindërve nuk harrohen. Edhe pse të lodhur nga puna e përditshme, të rinjtë tanë vazhdojnë të marrin pjesë në aktivitete e manifestime të ndryshme kulturore gjatë fundjavave. Shkak për këtë shkrim u bë një postim i babait të vëllezërve Kuqi, Arbnor dhe Rrezart Kuqi të cilët i kam ndjekur që nga fëmijëria. Ata janë artistë në kuptimin e plotë të fjalës, sepse kanë ruajtur autoktonen dhe nuk janë komercializuar duke futur shtrembërime apo elemente të panevojshme vetëm për përfitime materiale.
Në këngët e tyre ata i këndojnë dëshmorëve, atdheut të të parëve dhe gjuhës shqipe.
Në shumë manifestime ata janë pjesë e rëndësishme e programeve artistike dhe shpesh janë edhe shtylla kryesore e tyre. Kjo është një kënaqësi e veçantë për të gjithë ne. Respekt dhe mirënjohje për të gjitha shoqëritë kulturo-artistike dhe ansamblet që veprojnë në diasporë, por një nderim i veçantë u takon prindërve që i mbështesin pa u lodhur.

Veprimtari Jakup F. Kuqi edhe kësaj here na bëri krenarë me postimin e tij, duke treguar se sa madhështore është për një prind të shohë bijtë e vet pjesë të një programi me karakter kombëtar. Z. Kuqi dhe bashkëshortja e tij shpesh i shohim nëpër manifestime duke i shoqëruar djemtë e tyre, duke i ndihmuar me përgatitjen e instrumenteve dhe duke i mbështetur në çdo hap. Ata janë të rrallë dhe meritojnë çdo vlerësim, madje edhe çmimin simbolik “Shqiponjat e Diasporës”, sepse djemtë e tyre këndojnë dhe interpretojnë me disa instrumente të rralla muzikore, duke treguar talent dhe përkushtim.

Kur ishin të vegjël duke i kënduar bashkimit kombëtar
Me edukatë të shëndoshë shqiptare dhe me sjellje shembullore, ata janë një model për rininë tonë. Këtë herë ata morën pjesë në manifestimin përkujtimor “Kurora e Lirisë”, në nderim të sakrificës sublime të Familjes Jashari, i cili u mbajt më 14 mars në Bern të Zvicrës. Në këtë aktivitet morën pjesë shumë shoqata dhe ansamble nga kantone të ndryshme të Zvicrës, si dhe nga Kosova edhe Ansambli Kombëtar “Shota”.
Para një publiku madhështor, vëllezërit Arbnor dhe Rrezart Kuqi, si përfaqësues të Ansamblit “Trojet” nga Winterthur, performuan këngën:
“Kush po i thotë Drenicës, zemra ime e lashtë”.

Vetëm udhëtimi drejt Bernës ku banon familja Kuqi zgjati rreth dy orë në një drejtim, pa llogaritur përgatitjet dhe angazhimet e tjera. Prandaj institucionet e shteteve tona duhet t’i vlerësojnë më shumë ata që kanë punuar dhe vazhdojnë të punojnë për të mirën e kombit larg atdheut.

Do të ishte shumë e rëndësishme që në Kosovë të organizohej një festival shtetëror kushtuar diasporës, ku të nderohen shoqëritë kulturo-artistike, ansamblet, artistët dhe krijuesit që veprojnë jashtë vendit. Kjo do të ishte një mënyrë për të ruajtur dhe trashëguar brez pas brezi kulturën, gjuhën dhe identitetin tonë kombëtar.
Unë personalisht do të isha i lumtur nëse kjo ide do të merrej parasysh, edhe nëse emri im nuk përmendet, siç ndodh shpesh. Më e rëndësishmja është që të vazhdojmë ta mbajmë gjallë gjuhën dhe kulturën tonë në mërgim. Nderime të përzemërta për prindërit dhe krenari të madhe për rininë tonë në diasporë, e cila është e përgatitur dhe e përkushtuar për të mirën e kombit. Ju lumtë, familja Kuqi! Jeni shembull për të mirën e kombit në diasporë.




