POSTIMET E FUNDIT

Dhjetëvjetori i shtatores së Nënë Terezës në Pfaffenhofen – një festë e kulturës, paqes dhe bashkëjetesës

Nga Gazmend Dashi, Gjermani

Përveç aktiviteteve të shumta që zhvillon gjatë vitit, Shoqata Kulturore Shqiptaro-Gjermane “Sali Çekaj” në Pfaffenhofen an der Ilm këtë vit do të shënojë një ngjarje të veçantë dhe me rëndësi të madhe për komunitetin shqiptar dhe për vetë qytetin. Në kuadër të Javëve Interkulturore dhe Ndërfetare, do të përkujtohet dhjetëvjetori i vendosjes së shtatores së Nënë Terezës në qendër të këtij qyteti bavarez.

Ky përvjetor përbën një moment të rëndësishëm jo vetëm për shqiptarët që jetojnë dhe veprojnë në këtë rrethinë, por edhe për qytetarët vendas, të cilët prej vitesh kanë treguar respekt dhe vlerësim për figurën e madhe humanitare të Nënë Terezës. Vendosja e shtatores së saj para dhjetë vitesh ishte një simbol i fuqishëm i bashkëjetesës, i mirëkuptimit ndërkulturor dhe i respektit për vlerat universale të humanizmit që ajo përfaqësonte.

Me rastin e këtij jubileu, më 14 qershor 2026, do të organizohet një manifestim i veçantë kulturor dhe përkujtimor. Përveç ceremonisë pranë shtatores, programi do të përfshijë një sërë aktivitetesh artistike dhe kulturore, ku do të prezantohen recitale poetike, këngë dhe valle autoktone shqiptare njëkohësisht do ket edhe ushqime tradicional shqiptare. Këto programe do të përgatiten dhe do të interpretohen nga fëmijët e komunitetit shqiptar që jetojnë në këtë rrethinë, duke dëshmuar kështu përkushtimin e brezit të ri në ruajtjen dhe promovimin e traditës dhe identitetit kulturor shqiptar.

Kjo ditë do të shënohet në frymën e paqes, mirëkuptimit dhe bashkëjetesës ndërmjet kulturave dhe besimeve të ndryshme fetare. Manifestimi pritet të mbledhë personalitete të njohura nga të gjitha viset shqiptare, si dhe përfaqësues të institucioneve dhe të jetës publike në Gjermani.

Ndër të ftuarit dhe pjesëmarrësit e këtij aktiviteti do të jenë:

·        përfaqësuesi i Ipeshkvisë së Kosovës, Don Lush Gjergji, njohës dhe studiues i jetës dhe veprës së Nënë Terezës;

·        nga Bashkësia Islame, Imami Xhevat Kryeziu;

·        historiani dhe studiuesi në arkivat e Vatikanit, Dr. Mark Palnikaj;

·        përfaqësues të mediave publike shqiptare RTSH dhe RTK;

·        si dhe përfaqësues politikë, fetarë dhe institucionalë të qytetit të Pfaffenhofenit dhe të rajonit përreth.

Pjesëmarrja e personaliteteve nga fusha të ndryshme e bën këtë ngjarje edhe më domethënëse, duke e kthyer atë në një urë lidhëse ndërmjet kulturave, traditave dhe komuniteteve të ndryshme.

Shoqata Kulturore Shqiptaro-Gjermane “Sali Çekaj”, e cila prej vitesh është një nga organizatat më aktive të diasporës shqiptare në Bavari, ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në promovimin e kulturës shqiptare, në organizimin e aktiviteteve humanitare dhe në forcimin e lidhjeve mes komunitetit shqiptar dhe shoqërisë gjermane. Përmes projekteve të shumta kulturore, arsimore dhe humanitare, kjo shoqatë ka dëshmuar vazhdimisht përkushtimin e saj ndaj ruajtjes së identitetit kombëtar dhe ndaj promovimit të vlerave të bashkëjetesës dhe solidaritetit.

Me këtë rast, kryesisë së Shoqatës Kulturore “Sali Çekaj” dhe anëtarësisë së saj të gjerë u dëshirohen suksese në organizimin e këtij përvjetori të rëndësishëm. Ky jubile është një dëshmi tjetër e punës dhe përkushtimit të tyre në shërbim të kulturës, të komunitetit dhe të vlerave kombëtare shqiptare.

Ky manifestim pritet të jetë jo vetëm një moment përkujtimi për një figurë të madhe botërore si Nënë Tereza, por edhe një festë e kulturës, e traditës dhe e bashkëjetesës ndërmjet popujve.

Pfaffenhofen a.d.Ilm

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB