Instituti për Ekonomi të Tregut të Lirë (IETL), në bashkëpunim me British Council, organizoi në Prishtinë eventin përmbyllës të projektit rajonal “Bridging Creatives: Partneriteti Kosovë – Shqipëri – Mbretëri e Bashkuar për Rritje Kreative”. Aktiviteti vuri në pah rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për zhvillimin e ekonomisë kreative dhe fuqizimin e të rinjve në këtë sektor gjithnjë e më të rëndësishëm.
Në këtë ngjarje u theksua roli i industrive kreative si një nga motorët më dinamikë të rritjes ekonomike, inovacionit dhe zhvillimit shoqëror e kulturor. Përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, si dhe pjesëmarrës të projektit, diskutuan për mundësitë që krijohen nga partneritetet rajonale dhe ndërkombëtare në zhvillimin e talenteve të reja.
Besa Zogaj Gashi nga Instituti për Ekonomi të Tregut të Lirë theksoi se iniciativa “Bridging Creatives” ka qenë një mundësi e rëndësishme për të mbështetur të rinjtë dhe për të zhvilluar më tej sektorin kreativ në Kosovë. Sipas saj, instituti ka kontribuar edhe në zhvillimin e politikave publike në këtë fushë, duke mbështetur Komunën e Prishtinës në hartimin e strategjisë për art dhe kulturë, si dhe duke ndihmuar pjesërisht Qeverinë e Kosovës në strategjinë për industrinë kreative.
Ajo vuri në dukje se shumë studentë nuk marrin mjaftueshëm njohuri praktike për prezantimin profesional dhe zhvillimin e aftësive të biznesit, të cilat janë të domosdoshme për sukses në tregun e punës.
“Studentët shpesh nuk mësojnë si të prezantojnë veten profesionalisht, si të përgatisin një CV të mirë apo si të zhvillojnë aftësi në lidership, menaxhim projektesh dhe planifikim biznesi. Këto janë njohuri kyçe për të pasur sukses dhe për të fuqizuar sektorin kreativ,” tha ajo.
Sipas saj, interesimi për programin ka qenë i madh që nga faza e parë e aplikimit. Nga 123 aplikantë, 88 kanë qenë gra dhe 35 burra, duke reflektuar edhe rëndësinë e barazisë gjinore në industrinë kreative.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, theksoi se projekte të tilla krijojnë ura të rëndësishme bashkëpunimi mes komuniteteve kreative të Kosovës, Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar.
“Prishtina është një qytet i ri, energjik dhe kreativ. Si komunë, jemi të përkushtuar të mbështesim kulturën, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe zhvillimin e ekonomisë kreative,” u shpreh Rama.
Ndërkaq, drejtoresha e Këshillit Britanik për Ballkanin Perëndimor, Clare Sears, theksoi se organizata që ajo përfaqëson vazhdon të mbështesë zhvillimin e industrive kreative në rajon përmes projekteve të ndryshme.
Ajo përmendi fusha të shumta të industrisë kreative që po zhvillohen në rajon, duke përfshirë gaming-un, modën, prodhimin e filmave, animacionin dhe artet pamore.
“Ky projekt është shumë praktik dhe i fokusuar në aftësi reale, më shumë sesa në teori. Partneritetet e forta rajonale e bëjnë këtë ndërhyrje një shembull të shkëlqyer për zhvillimin e sektorit kreativ në rajon,” theksoi Sears.
Projekti “Bridging Creatives” synon të krijojë ura bashkëpunimi mes profesionistëve të rinj dhe institucioneve nga Kosova, Shqipëria dhe Mbretëria e Bashkuar, duke kontribuar në zhvillimin e aftësive profesionale dhe në forcimin e ekonomisë kreative në rajon, transmeton rtk.




