Ambasadori i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, Shkëlqesia e Tij Ilir Kapiti, ka zhvilluar një takim të rëndësishëm në Londër, ku në fokus ishte forcimi i bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar në fushën e mbrojtjes së mjedisit.
Sipas informacioneve që ka siguruar HelveticALForum, në këtë takim mori pjesë edhe ministrja e Kosovës znj.Pacolli, ndërsa nga pala britanike ishte e pranishme ministrja e Mjedisit e Mbretërisë së Bashkuar, Mary Creagh. Takimi u zhvillua në ambientet e Ministrisë së Mjedisit të të Mbretërisë së Bashkuar. Diskutimet u përqendruan në sfidat e përbashkëta mjedisore me të cilat përballen të dy vendet. Palët shkëmbyen përvoja mbi menaxhimin e ujërave dhe mbrojtjen nga vërshimet, duke theksuar rëndësinë e politikave moderne dhe të koordinuara për përballimin e ndryshimeve klimatike.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua avancimit të riciklimit të mbeturinave dhe përdorimit të teknologjisë për monitorimin digjital të parqeve kombëtare. Këto praktika synojnë mbrojtjen më efikase të natyrës dhe menaxhimin e qëndrueshëm të resurseve natyrore.
Në përfundim të takimit, përfaqësuesit e Kosovës dhe të Mbretërisë së Bashkuar u pajtuan për intensifikimin e bashkëpunimit në fushën e mjedisit përmes zhvillimit të projekteve konkrete. Këto iniciativa pritet të kontribuojnë drejtpërdrejt në mbrojtjen e mjedisit dhe në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve në të dy vendet, transmeton helveticALForum.ch




