POSTIMET E FUNDIT

7 Marsi, dita që nderon mësuesit dhe arsimtarët. Rama: Lidhja përmes gjuhës është shumë e fortë

7 Marsi shënon Ditën e Mësuesit në Shqipëri, një festë e rëndësishme që nderon figurën e arsimtarit dhe kontributin e tij në edukimin dhe formimin e brezave të rinj.

Kjo datë lidhet me një moment historik për arsimin shqiptar. Më 7 mars të vitit 1887 në Korçë u hap Mësonjëtorja e parë laike në gjuhën shqipe, një ngjarje që shënoi një hap të madh për zhvillimin e arsimit dhe kulturës kombëtare. Nën drejtimin e Pandeli Sotirit, hapja e saj u bë simbol i përpjekjeve të rilindasve për përhapjen e gjuhës shqipe dhe arsimit kombëtar.

Prej vitesh, 7 Marsi festohet në shkolla në mbarë vendin me aktivitete të ndryshme, programe artistike, koncerte dhe aktivitete kulturore. Nxënësit shprehin mirënjohjen ndaj mësuesve me lule, dhurata dhe mesazhe falënderimi për punën dhe përkushtimin e tyre në arsimimin e brezave.

Me rastin e kësaj feste ka reaguar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili ka ndarë në rrjetet sociale një fotoalbum me fëmijë dhe mësues. Në mesazhin e tij, Rama thekson rëndësinë e gjuhës shqipe dhe lidhjen që ajo krijon mes shqiptarëve.

“Me energjinë e fëmijëve nga Manastiri, që na kujtojnë sa e fortë është lidhja përmes gjuhës, ju uroj Gëzuar 7 Marsin dhe fundjavë të mbarë”, shkruan Rama.

Dita e Mësuesit mbetet një nga festat më domethënëse për arsimin shqiptar, duke kujtuar sakrificat dhe përkushtimin e mësuesve ndër vite për ruajtjen dhe përhapjen e dijes dhe të gjuhës shqipe, transmeton rtsh.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB