
Nga Dashnim HEBIBI
Në këtë ditë të shënuar kombëtare, kushtuar gjuhës shqipe edhe në mbarë diasporën, festohet dhe urohet me krenari për pasurinë më të shtrenjtë të kombit tonë: gjuhën. Mes urimeve të shumta, një përshëndetje e veçantë vjen nga presidenti i Ansamblit “Trojet”, me qendër në Winterthur, veprimtari dhe bamirës i njohur, njeri i kulturës dhe artit, z. Zeqë Gashi.
Në mesazhin e tij të përzemërt për këtë ditë të veçantë, z. Gashi uroi të gjithë mësuesit për punën e tyre të palodhur dhe kontributin në ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës shqipe. Ai theksoi rëndësinë e shëndetit, lumturisë dhe sukseseve për ta, duke bërë thirrje që të jemi edhe më unik dhe të bashkuar, duke investuar më shumë në gjuhën shqipe, një pasuri e mbajtur gjallë brez pas brezi.
“Ansambli ynë, që përfshin edhe grupin e fëmijëve, përpiqet që gjuhën shqipe ta mbajë gjallë në zemrat dhe gojët e brezave të rinj. Të gjithë flasin rrjedhshëm shqipen, duke dëshmuar se kultura dhe identiteti kombëtar mund të ruhet dhe të transmetohet me pasion,” tha z. Gashi.

Në këtë 7 Mars – Ditën e Mësuesit, mesazhi i tij është i qartë: të gjitha përpjekjet tona duhet të drejtohen drejt investimit në edukimin shqip dhe fuqizimin e gjuhës sonë të ëmbël, që të mos humbasë lidhjen me rrënjët tona, as në diasporë dhe as në atdhe.
Respekti dhe mirënjohja shkojnë për të gjithë mësuesit që, me përkushtim, ndezin dritën e dijes dhe mbajnë gjallë flakën e kulturës kombëtare. Ata janë urë lidhëse midis brezave, dhe angazhimi i tyre siguron që gjuhës shqipe t’i qëndrojmë besnik edhe në kohë sfidash.
Të përkrahemi dhe të forcojmë edhe më shumë LAPSH “Naim Frashëri” në Zvicër, sepse aty gjenden gardianët e mirë të gjuhës shqipe. Falënderojmë gjithashtu shtetin zviceran për mbështetjen e vazhdueshme, që na ka mundësuar të mësojmë shqip edhe në ambientet e shkollave zvicerane.

Urime për të gjithë mësuesit dhe le të vazhdojmë së bashku të investojmë në pasurinë tonë më të çmuar: gjuhën shqipe!




