POSTIMET E FUNDIT

FSK pritet të kontribuojë në operacion ndërkombëtar në Gazë

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka zhvilluar një videokonferencë me komandantin e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese (ISF), gjeneralmajor Jasper Jeffers III nga Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjatë së cilës është diskutuar koordinimi për dislokimin e mundshëm të pjesëtarëve të FSK-së në rripin e Gazës.

Sipas njoftimit zyrtar të FSK-së, gjatë takimit virtual gjeneral Jashari shprehu mirënjohje për gjeneralin Jeffers dhe për Ushtrinë amerikane për ftesën drejtuar Kosovës që të marrë pjesë në këtë operacion ndërkombëtar të sigurisë.

Ai theksoi se Forca e Sigurisë së Kosovës është një forcë profesionale, e trajnuar sipas standardeve të NATO-s, e cila është e gatshme të kontribuojë në operacione ndërkombëtare sa herë që kërkohet nga partnerët strategjikë të vendit, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Gjeneral Jashari theksoi se pjesëmarrja e FSK-së në misione ndërkombëtare është dëshmi e përkushtimit të Kosovës për të kontribuar në paqen, sigurinë dhe stabilitetin global, si dhe për të forcuar bashkëpunimin me aleatët ndërkombëtarë.

Në përfundim të konferencës, gjeneralmajor Jasper Jeffers III vlerësoi gatishmërinë dhe profesionalizmin e FSK-së për të marrë pjesë në operacionin në Lindjen e Mesme. Ai e cilësoi Kosovën si një partner të besueshëm të Shteteve të Bashkuara dhe të komunitetit ndërkombëtar në përpjekjet për promovimin e paqes dhe stabilitetit global. Dislokimi i mundshëm i FSK-së në Gazë do të shënonte një tjetër hap në rritjen e rolit ndërkombëtar të Kosovës në misionet e sigurisë dhe paqeruajtjes, transmeton rtk.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB