Në kuadër të aktiviteteve kulturore të Javëve të Frankofonisë në kryeqytetin zviceran, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Zvicër, në bashkëpunim me Ministria e Punëve të Jashtme të Zvicrës, organizon shfaqjen e filmit të mirënjohur shqiptar “Përrallë nga e kaluara”, me regji të Dhimitër Anagnosti.
Ngjarja do të mbahet të hënën, më 23 mars 2026, në orën 18:00, në ambientet e CineClub Quinnie, në Laupenstrasse 17, Bernë. Hyrja është falas, ndërsa regjistrimi paraprak është i detyrueshëm për të gjithë të interesuarit, transmeton helveticALForum.ch.
Filmi artistik i vitit 1987, me kohëzgjatje 1 orë e 28 minuta, është një satirë e mprehtë mbi martesat e rregulluara dhe përplasjen mes traditës patriarkale dhe aspiratës individuale për liri. Vepra sjell me finesë artistike tensionin midis mentalitetit të trashëguar dhe ndryshimeve shoqërore, duke ruajtur njëkohësisht humorin dhe ndjeshmërinë që e kanë bërë atë një nga filmat më të dashur të kinematografisë shqiptare.
Skenari i filmit bazohet në krijimtarinë e poetit dhe dramaturgut të shquar të Rilindjes Kombëtare, Andon Zako Çajupi, duke e sjellë në ekran frymën kritike dhe ironinë e tij ndaj zakoneve të kohës.
Kjo shfaqje realizohet me mbështetjen e Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme – Republika e Shqipërisë dhe Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit, duke dëshmuar përkushtimin institucional për promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare në arenën ndërkombëtare.
Pjesëmarrja në këtë mbrëmje kinematografike përbën një mundësi të veçantë për publikun shqiptar dhe atë zviceran që të njohë nga afër një nga perlat e filmit shqiptar, si dhe për të reflektuar mbi temat universale që vijojnë të mbeten aktuale edhe sot. Organizatorët ftojnë të gjithë dashamirësit e artit dhe kulturës të bëhen pjesë e kësaj mbrëmjeje të veçantë në Bernë, transmeton helveticALForum.ch.
Përgatiti D.H




