Shqipëria ka marrë pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit në Berlin, një nga ngjarjet më prestigjioze të industrisë turistike në botë. Me stendën e saj “Shqipëria autentike në 360 gradë”, vendi ynë ka prezantuar një ofertë të gjerë dhe autentike, duke promovuar turizmin cilësor dhe gjithëvjetor.
Drejtorja e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Zana Çela, u shpreh se panairi i Berlinit, i cili ka mbi 60 vite traditë dhe mbi 100 mijë ekspozitorë, është një mundësi e jashtëzakonshme për të rritur bashkëpunimet ndërkombëtare.
Ajo theksoi se stenda shqiptare ka tërhequr shumë vëmendje, ndërsa agjencitë turistike shqiptare po zhvillojnë bisedime me kompani gjermane dhe të tjera për kontrata që shtrihen deri në vitet 2027–2028.
“Kemi prezantuar një Shqipëri shumë autentike, me një ofertë shumë të gjerë, e cila tashmë simbolizon edhe sloganin tonë për një turizëm gjithë vjetor dhe një turizëm cilësor. Panairi i Berlinit është momenti më kulmor i panireve ndërkombëtare të turizmit në botë. Ka 60 vite që ka filluar rrugëtimin e tij dhe këtë vit janë mbi 100 mijë ekspozitorë, ka një numër të jashtëzakonshëm të vizitorëve. Pjesëmarrja e Shqipërisë qenë këtë panair është bërë një traditë normale. Stenda e Shqipërisë ka tërhequr jashtëzakonisht shumë vëmendje. Agjencitë turistike shqiptare janë në bisedime me kompani të ndryshme gjermane, por jo vetëm, për të nënshkruar kontratat e 2027 dhe 2028.
Ka një vëmendje shumë të madhe edhe për një bashkëpunim me Shqipërinë. Titulli i stendës tonë është ‘Shqipëria autentike në 360 gradë’. Shqipëria turistike tashmë operon gjatë gjithë vitit, falë një oferte mjaft diverse”, u shpreh Çela, transmeton rtsh.




