POSTIMET E FUNDIT

Mërgata shqiptare ndjek me vëmendje zhvillimet në Kosovë para zgjedhjes së Presidentit

Nga Dashnim HEBIBI, Zürich

Në prag të zgjedhjes së Presidentit të Kosovës, mërgata shqiptare kudo në botë po e përcjell me interes të madh situatën politike në vendlindje. Ashtu si edhe në momente të tjera të rëndësishme për shtetin, bashkatdhetarët jashtë atdheut janë të informuar në kohë reale përmes mediave, duke pritur me ankth nëse do të arrihet konsensusi politik apo vendi do të përballet sërish me zgjedhje të reja.

Për të kuptuar më nga afër se si po e përjeton diaspora këtë periudhë delikate, biseduam me veprimtarin e njohur Zeqë Gashi, njëherësh kryetar i Ansamblit “Trojet” në Winterthur. Z. Gashi, i cili vjen nga Kosova dhe prej vitesh jeton e vepron në Zvicër, shprehet se dëshira më e madhe e mërgatës është që Kosova të ketë stabilitet dhe qetësi politike.

“Dëshira jonë e madhe është që të kemi një situatë të qetë, sidomos në këtë kohë të trazuar globale, kur bota po përballet me rreziqe të mëdha, siç janë tensionet e fundit mes Izraelit dhe Iranit. Në një realitet të tillë ndërkombëtar, Kosovës i duhet unitet dhe maturi politike,” thekson ai.

Sipas tij, lajmet nga Kosova ndiqen me shumë vëmendje nga mërgimtarët, por shpeshherë informacionet që qarkullojnë kërkojnë verifikim të kujdesshëm. “Lajme vijnë andej e këndej, dhe jo të gjitha janë të qarta apo të verifikuara si duhet. Megjithatë, për ne asnjë zhvillim nga Kosova nuk kalon pa u vënë re, sepse atje i kemi rrënjët dhe familjet tona,” shprehet Gashi për HelveticALForum.

Ai e konsideron shqetësuese mungesën e unitetit mes spektrit politik në vend. “Nuk jam pjesë e asnjë subjekti politik, por na dhemb shpirti kur shohim mosmarrëveshje dhe mungesë të gjuhës së përbashkët. Si komb kemi vuajtur shumë dhe sot më shumë se kurrë kemi nevojë për bashkim. Nuk do të ishte e shëndetshme për vendin të shkojmë sërish në zgjedhje,” thekson ai.

Duke folur për emrat që po qarkullojnë në media për postin e Presidentit, Gashi nënvizon se më e rëndësishmja është stabiliteti institucional. “Pak ka rëndësi se cili kandidat do të zgjidhet nga ata që po përmenden, rëndësi ka që të ruhet funksionaliteti i shtetit dhe të forcohen institucionet. Edhe kryetarja aktuale, Vjosa Osmani, është munduar të bëjë aq sa ka mundur në rrethanat ekzistuese,” vlerëson ai.

Mërgata, sipas tij, është e informuar jo vetëm përmes mediave në Kosovë, por edhe atyre në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Zvicër, ku Kosova gëzon respekt dhe mbështetje të konsiderueshme. “Kur ishte në Zvicër, presidentja u prit me autoritet të madh nga shteti helvetik. Kjo tregon se Kosova ka miq dhe partnerë që e vlerësojnë,” shton Gashi.

Ai thekson se fakti që mërgimtarët jetojnë larg atdheut nuk do të thotë se nuk kanë të drejtë të shprehin mendimin e tyre për zhvillimet në vend. Përkundrazi, sipas tij, diaspora mbetet një faktor i rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës.

“E ardhmja e Kosovës është te gjenerata e re. Fatkeqësisht, dita-ditës të rinjtë po largohen nga vatrat tona. Duhet punuar më shumë për ta, që të shohin perspektivë në vendin e tyre. Pse të mos krijohen kushte që ‘truri’ nga mërgata të kthehet dhe të kontribuojë në Kosovë?” pyet ai.

Në fund, mesazhi i tij është i qartë: shpresë dhe besim në unitet. “Ne besojmë shumë se do të gjendet gjuha e përbashkët dhe se Kosova do ta ketë Presidentin e ri pa kriza të panevojshme. Vendi ynë ka nevojë për stabilitet, për bashkëpunim dhe për një vizion të përbashkët për të ardhmen.”

Në këtë periudhë vendimtare, zëri i mërgatës mbetet i lidhur ngushtë me zhvillimet në Kosovë, duke dëshmuar edhe një herë se largësia gjeografike nuk e zbeh përkushtimin dhe dashurinë për atdheun.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB