Kosova po hyn në një nga momentet më delikate të ciklit të saj institucional. Dy ditë para skadimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentes apo presidentit të ri, mungesa e marrëveshjes politike rrezikon të prodhojë një efekt domino: shpërndarjen automatike të Kuvendit dhe zgjedhje të reja parlamentare. Në një vend që tashmë ka kaluar disa cikle të shpeshta zgjedhore, kjo nuk është vetëm çështje procedurale, por test i pjekurisë politike dhe i stabilitetit shtetëror.
Kjo tregon se Kosova ka një klasë politike që nuk mendon për stabilitetin e shtetit të ri kosovar, por për interesa politike personale, duke e futur popullin drejt zgjedhjeve të reja, pas një mori krizash të forta që kaloi shteti dhe populli gjatë vitit të kaluar. Kjo do të ngadalsojë zhvillimin ekonomik dhe do t’i jap Serbisë shansin të sulmojë në arenën ndërkombëtare se klasa politike e Kosoves është vunerabel, e papjekur dhe interesaxhie.
Aritmetika që bllokon politikën
Kushtetuta e Kosovës e ka ndërtuar procesin e zgjedhjes së presidentit mbi logjikën e konsensusit. Në dy raundet e para nevojiten 80 vota nga 120 deputetë. Vetëm në raundin e tretë mjaftojnë 61 vota, por me kusht që në sallë të jenë të pranishëm të paktën 80 deputetë për të garantuar kuorumin.
Kryeministri Albin Kurti ka pranuar se shumica aktuale nuk i ka 80 votat e sigurta. Ai ka theksuar se hyrja në votim me një numër minimal deputetësh në sallë është e rrezikshme, sepse çdo mungesë e papritur mund të çojë në dështim dhe automatikisht në zgjedhje. Kjo tregon se problemi nuk është vetëm politik, por edhe teknik-procedural.
Në anën tjetër, opozita – me Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – ka bërë të qartë se nuk do të mbështesë një kandidaturë që perceptohet si “zgjatim i qeverisë”. Kjo e zhvendos debatin nga numrat tek natyra e figurës presidenciale.
President konsensual apo president i shumicës?
Presidentja aktuale Vjosa Osmani ka shprehur dëshirën për një mandat të dytë. Por mbështetja për të nuk është e garantuar me shumicë të cilësuar. Opozita kërkon një figurë që të përfaqësojë balancë dhe unitet, ndërsa shumica qeverisëse përballet me realitetin se 51 për qind e votave popullore nuk përkthehen automatikisht në 80 vota parlamentare.
Këtu qëndron thelbi i krizës: sistemi kushtetues i Kosovës kërkon kompromis të gjerë për presidentin, ndërsa klima politike është e polarizuar. Në këtë kontekst, figura e presidentit bëhet simbol i ekuilibrit institucional dhe jo thjesht zgjedhje e shumicës.
Papërgjegjshmëria politike si faktor destabilizues
Por përtej aritmetikës dhe interpretimeve kushtetuese, ekziston një problem më i thellë: mungesa e përgjegjësisë politike. Klasa politike kosovare po dëshmon se shpeshherë vendos kalkulimet partiake dhe interesat personale mbi interesin afatgjatë të shtetit.
Në vend që energjia të përqendrohet në sigurimin e stabilitetit institucional dhe në ruajtjen e vazhdimësisë së shtetit, debati është zhvendosur në terrenin e pozicionimeve elektorale, presionit publik dhe testimit të forcës mes shumicës dhe opozitës. Nëse vendi shkon në zgjedhje të reja për shkak të mungesës së kompromisit, kjo do të jetë jo vetëm dështim procedural, por edhe dështim moral i elitës politike.
Një shtet i ri si Kosova nuk mund ta trajtojë stabilitetin institucional si instrument taktike. Presidenca nuk është çështje prestigji partiak, por element themelor i arkitekturës kushtetuese.
Rreziku real: lodhja zgjedhore dhe pasiguria
Zgjedhjet e reja do të sillnin:
- lodhje elektorale dhe rënie të besimit qytetar;
- pezullim të proceseve legjislative e reformuese;
- dobësim të imazhit ndërkombëtar të Kosovës.
Në një moment kur Kosova përballet me sfida të mëdha rajonale dhe ndërkombëtare, një krizë e brendshme e panevojshme do të dëmtonte pozicionin e saj politik dhe diplomatik.
Kosova ndodhet mes dy rrugëve: kompromisit institucional ose përshkallëzimit të krizës politike. Kushtetuta kërkon konsensus; realiteti politik prodhon përplasje.
Nëse klasa politike vazhdon të mendojë me logjikën e interesit të ngushtë partiak, atëherë zgjedhjet e jashtëzakonshme do të jenë vetëm simptomë e një kulture politike që ende nuk ka internalizuar përgjegjësinë shtetformuese. Stabiliteti i Kosovës nuk mund të jetë peng i ambicieve personale. Ai duhet të jetë prioritet kombëtar, transmeton KJonë.




