Emisioni prestigjioz frankofon Destination Francophonie i ka kushtuar Kosovës një reportazh të veçantë, duke theksuar pasurinë kulturore të vendit, energjinë dhe kreativitetin e rinisë, si dhe angazhimin e vazhdueshëm institucional në kuadër të komunitetit frankofon. Ky prezantim i rëndësishëm ndërkombëtar vjen në një moment domethënës, në prag të aktiviteteve të Muajit të Frankofonisë në Hungari.
Reportazhi sjell në vëmendje zhvillimet kulturore dhe arsimore në Kosovë, promovimin e gjuhës frënge dhe bashkëpunimin e qëndrueshëm me partnerë frankofonë, duke e pozicionuar vendin si një aktor aktiv dhe të përkushtuar në hapësirën frankofone.
Në këtë frymë, Ambasada e Republikës së Kosovës në Budapest, në bashkëpunim me Instituti Francez në Hungari, do të marrë pjesë në aktivitetet e Muajit të Frankofonisë 2026 në Budapest. Në kuadër të këtij programi, do të prezantohet filmi i shkurtër “Sans Le Kosovo”, si pjesë e përfaqësimit kulturor të Republikës së Kosovës.
Shfaqja e filmit do të mbahet më 26 mars 2026, në ora 18:30, në ambientet e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Budapest (Hunyadi János út nr. 20, 1011 Budapest). Aktiviteti synon të mbledhë përfaqësues të trupit diplomatik, komunitetit frankofon, artdashës dhe anëtarë të diasporës, duke krijuar një hapësirë dialogu kulturor dhe bashkëpunimi.
Përmes këtij organizimi, Kosova rikonfirmon përkushtimin e saj ndaj vlerave të frankofonisë – solidaritetit, diversitetit kulturor dhe bashkëpunimit ndërkombëtar – duke forcuar më tej praninë e saj në skenën kulturore evropiane.
Për informacione shtesë lidhur me shfaqjen e filmit dhe pjesëmarrjen, të interesuarit mund të kontaktojnë në adresën zyrtare elektronike: Embassy.Hungary@rks-gov.net, transmeton Ambasada e Kosovës në Budapest, përcjell helveticALforum.ch




