Më 27 Shkurt 2026, Ambasada e Republikës së Kosovës në Vjenë, në bashkëpunim me Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri “Aleksandër Moisiu”, organizoi një mbrëmje letrare dhe artistike me rastin e 18-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe 15-vjetorit të themelimit të Lidhjes.
Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri, z. Anton Marku, nënvizoi rëndësinë e promovimit të letërsisë shqiptare në diasporë dhe kontributin e krijuesve në ruajtjen e identitetit kulturor e gjuhësor.
I Ngarkuari me Punë në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Vjenë, z. Albinot Bimbashi, vlerësoi praninë e autorëve dhe interesimin e publikut, uroi të pranishmit për 18-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe rikonfirmoi angazhimin e Ambasadës për mbështetjen e vazhdueshme të kulturës shqiptare në mërgatë.

Në këtë mbrëmje kulturore morën pjesë poetja e njohur Blerina Rogova Gaxha si dhe poeti dhe dramaturgu Emin Z. Emini, të cilët ndanë me publikun krijimtari të përzgjedhur dhe reflektime mbi letërsinë bashkëkohore shqiptare, rolin e shkrimtarit në shoqëri dhe zhvillimet aktuale të artit letrar në hapësirën shqiptare. Diskutimi me të pranishmit trajtoi gjithashtu sfidat dhe mundësitë e letërsisë shqipe, me theks të veçantë në depërtimin dhe afirmimin e saj në diasporë.
Mbrëmjes i dhanë një dimension të veçantë edhe interpretimet e muzikës qytetare shqiptare nga Vlora Melchard (piano) dhe Ersela Nekaj (violinë), duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe frymëzuese për të gjithë të pranishmit.
Ngjarja u përmbyll në një frymë bashkëbisedimi miqësor, ku të ftuarit patën mundësinë të shkëmbejnë mendime me autorët dhe të thellojnë diskutimin mbi rëndësinë e artit dhe kulturës si ura lidhëse ndërmjet Kosovës dhe diasporës shqiptare në Austri, transmeton Ambasada e Republikës së Kosovës në Vjenë, përcjell helveticALforum.ch.




