Përgatiti Dashnim HEBIBI
Në një atmosferë miqësore dhe bashkëpunuese, Ambasadori i Republikës së Kosovës në Japoni, Prof. Dr. Sabri Kiçmari, ka zhvilluar një takim të rëndësishëm në ambientet e Ambasadës së Kosovës në Tokio, siç raporton edhe platforma HelveticALforum.
Ambasada e Republikës së Kosovës pati kënaqësinë të mirëpresë Profesorin Tatsumi Akita, Konsull Nderi i Kosovës për rajonin e Yamanashit, i cili vizitoi Ambasadën së bashku me një grup studentësh nga Universiteti i Yamanashit. Delegacioni u prit nga Ambasadori Dr. Sabri Kiçmari, i cili i falënderoi mysafirët për interesimin e tyre ndaj Kosovës dhe për angazhimin në forcimin e lidhjeve akademike e kulturore ndërmjet dy vendeve.

Gjatë vizitës, diplomati Arbër Mehmeti mbajti një prezantim të detajuar mbi historinë e Kosovës, trashëgiminë e saj kulturore si dhe potencialin turistik që ofron vendi. Nëpërmjet këtij prezantimi, studentët patën mundësinë të njihen më nga afër me zhvillimet historike, diversitetin kulturor dhe resurset natyrore të Kosovës, duke shfaqur interes të veçantë për bashkëpunime të ardhshme akademike dhe shkëmbime studentore.

Në përmbyllje të takimit, studentët e Universitetit të Yamanashit prezantuan punimet e tyre para Ambasadorit, duke trajtuar tema të ndryshme që lidhen me Kosovën – nga historia dhe politika, deri te kultura dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Prezantimet u vlerësuan për seriozitetin dhe përkushtimin e treguar, duke reflektuar një interes të sinqertë për njohjen dhe studimin e Kosovës.
Ky takim shënon një hap të rëndësishëm në thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Japonisë në fushën akademike dhe kulturore, si dhe në forcimin e miqësisë ndërmjet dy popujve.




