Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka nisur procesi gjyqësor ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe katër të akuzuarve të tjerë për vepra penale që lidhen me pengim të drejtësisë.
Gjyqtari i çështjes, Christopher Gosnell, bëri të ditur se dëshmitarët duhet të përfundojnë dëshmitë e tyre deri më 6 mars, ndërsa argumentet përmbyllëse pritet të paraqiten më 13 mars. Pas kësaj faze, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) do të vendosë për datën e përmbylljes së plotë të procesit gjyqësor.
Sipas aktakuzës së paraqitur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, Thaçi ngarkohet me 11 pika për kryerje të veprave penale kundër administrimit të drejtësisë. Prokuroria pretendon se ai akuzohet për tri vepra penale kundër rendit publik dhe tetë akuza për vepra kundër administrimit të drejtësisë dhe administratës publike, përfshirë tentativë për të penguar persona zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës.
Të njëjtat akuza për pengim të personave zyrtarë, shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës rëndojnë edhe ndaj ish-shefit të AKI-së, Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj, dhe veteranit të UÇK-së, Fadil Fazliu. Ndërkaq, ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, përballet me dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Prokurorja e Specializuar, Kimberly West, deklaroi se të akuzuarit kanë shkelur qëllimisht vendime gjyqësore të hartuara për të garantuar mbrojtjen e dëshmitarëve dhe viktimave, duke cenuar sipas saj sundimin e ligjit. Ajo theksoi rëndësinë që dëshmitarët të dëshmojnë pa trysni, ndikim apo ndërhyrje.
Prokuroria ka paralajmëruar paraqitjen e provave audio, prova elektronike të nxjerra nga telefonat mobilë të sekuestruar, si dhe dokumente fizike që lidhen me pretendimet për ndërhyrje ndaj dëshmitarëve. Tre dëshmitarë, përfshirë ekspertë të fushës së ekzaminimit të dokumenteve dhe pajisjeve elektronike, pritet të dëshmojnë gjatë procesit.
Në seancën e deklaratave hyrëse, gjykatësi i pyeti të akuzuarit nëse e kuptojnë aktakuzën dhe si deklarohen lidhur me fajësinë. Thaçi, Smakaj, Kilaj, Fazliu dhe Kuçi u deklaruan sërish të pafajshëm.
Procesi gjyqësor pritet të vazhdojë në ditët në vijim me paraqitjen e provave dhe dëgjimin e dëshmitarëve, transmeton rtk.




