14.7 C
Zurich
Wednesday, February 25, 2026
spot_img
spot_img

POSTIMET E FUNDIT

Kur skena u bë atdhe – Ansambli “TROJET” festoi Pavarësinë e Kosovës

Nga Zeqë GASHI, President i Ansamblit “Trojet” në Winterthur

Edhe pse kanë kaluar disa ditë nga kjo mbrëmje e veçantë dhe është pasqyruar edhe në helveticALforum.ch, emocionet vazhdojnë të jetojnë në zemrat e bashkatdhetarëve. Ansambli “TROJET”, duke ruajtur me krenari traditën dhe shpirtin kombëtar, organizoi më 14 shkurt në Winterthur një koncert të paharrueshëm kushtuar 17 Shkurtit, Ditës së Pavarësisë së Kosovës.

Mbrëmja artistike nisi me një hapje thellësisht emocionale. Një korodramë artistike solli kujtime nga lufta e fundit, duke sjellë në skenë sakrificën e populit tonë , nënave dhe familjeve shqiptare. Mes dhimbjes dhe shpresës u shfaqën bijtë tanë çlirimtarët, u soll çlirimi i atdheut dhe më pas u arrit në kulmin solemn me leximin e shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Ishte ai çast kur salla u bë një zë, një zemër, një betim. Respekti dhe emocionet u ndjenë në çdo rresht të sallës.

Programin artistik e moderoi me elegancë Sherife Zeqiri, ndërsa në emër të ansamblit të pranishmit i përshëndeti zëvendëskryetari Blerim Bunjaku. Një reflektim të shkurtër për rrugëtimin e shtetit të Kosovës solli edhe Prof. Dr. Xhavit Lipaj, duke rikujtuar sakrificën dhe përgjegjësinë që mbajmë për ta ruajtur këtë liri.

Koncerti u nderua me praninë e shumë personaliteteve nga jeta diplomatike, kulturore dhe shoqërore. Fjalë përshëndetëse mbajti Ambasadori i Maqedonisë së Veriut në Bernë, z. Rexhep Demiri, i cili vlerësoi rolin e diasporës në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe kontributin e ansambleve kulturore në forcimin e lidhjes me atdheun. Konsullja e Republikës së Kosovës në Zürich, znj. Ardita Mustafa, përgëzoi punën e palodhshme të ansamblit dhe theksoi rëndësinë e ruajtjes së gjuhës dhe kulturës ndër breza.

Programi artistik u lartësua me paraqitjet e tri grupmoshave të ansamblit.

Grupi i më të vegjëlve, filizat e “TROJEVE”, solli pastërti, sharm dhe emocion. Me valle, këngë dhe recitime, ata e fituan publikun me elegancën e lëvizjes, me buzëqeshjen e pafajshme dhe me atë dritë fëmijërie që e bën çdo skenë të ngrohtë. Në këta fëmijë shihet qartë e ardhmja e ansamblit dhe vazhdimësia e traditës sonë.

Grupi aristik i të mesmëve u paraqit me energji dhe disiplinë artistike, duke dëshmuar rritje dhe pjekuri në skenë.

Performen me eleganc dhe sharm 3 valle , ku e beren publikun për vete me dur trokijet .

Një moment i veçantë i mbrëmjes ishte kënga “Linda në Mërgim” nga Eliza Zeqiri, e cila solli emocion të thellë. Eliza, e rritur në skenën e “TROJEVE” që nga fëmijëria, sot përfaqëson një zë të formuar që ruan traditën dhe e sjell atë me frymë moderne, me atë ndjeshmëri që e kupton vetëm mërgata kur i këndohet mallit.

Grupi i të rriturve, shtylla artistike e ansamblit dhe krenaria jonë skenike, solli një program të përzgjedhur me valle dhe interpretime muzikore, me sharm e dinjitet artistik. Në valle u shfaqën edhe kostume nga trevat tona, ku një vend të veçantë zuri veshja e lashtë, xhubleta, në vallen e Malësisë së Madhe. Ajo nuk ishte vetëm pjesë e kostumografisë, por një simbol identiteti, një dëshmi e rrënjëve tona të thella.

Në skenë shkëlqeu solistja Marisa Murtezi, me dy këngë të përcjella nga tingujt e çiftelisë së vëllezërve Arbnor dhe Rrezart Kuqi. Me zërin dhe prezencën e saj artistike, Marisa dëshmoi pjekurinë e brezit të ri që rritet në gjirin e ansamblit. Së bashku me Eliza Zeqirin, ato e bartën me dinjitet emrin e “TROJEVE” dhe e kthyen këngën në urë mes brezave.

Një dimension të veçantë i dhanë mbrëmjes vëllezërit Arbnor dhe Rrezart Kuqi me tingujt e çiftelisë dhe këngët patriotike, mes tyre “Ti na erdhe Pavarësi” dhe kënga kushtuar Adem Jasharit. Tingulli i çiftelisë nuk është vetëm muzikë, është kujtesë. Është zë i maleve, i kullave, i historisë sonë që nuk plaket.

Screenshot

Momente të rralla emocioni dhuroi edhe rapsodi i ansamblit, Baca Shaq. Me lahutën në dorë dhe vargjet e tij plot shpirt, ai solli në skenë frymën e maleve dhe peshën e traditës. Vargjet për lahutën dhe xhubletën u pritën me respekt të veçantë, si një jehonë e gjallë e trashëgimisë sonë kulturore dhe si një kujtesë e bukur se identiteti ruhet edhe me këngë, edhe me fjalë, edhe me simbole.

Me vargjet e lahutës:

Historia jonë e gjallë,

Eu mal për mal shkon tuj shkelqye, roje shqipja t’rri mbi krye,

O lahutë, o shpirti i malit, knofsh gjithmonë djalë pas djali.

Si dhe:

Moi xhubletë, moj sojnike,

S’osht kollaj me t’pas kush mike,

Veç malësorja shtat selvi , që t’ka vesh me krenari,

Veç lahutës zanin me ja ndi, zgjohen zanat n’Dardani.

Mbrëmja artistike u pasurua edhe me recitime nga krijimtaria e Prof. Dr. Xhavit Lipaj, të interpretuara nga Shqipton Lipa, duke i dhënë koncertit një dimension reflektues dhe shpirtëror, aty ku fjala bëhet dritë dhe mesazh.

Në mesin e të pranishmëve ishin edhe figura të njohura si Dr. Sali Sefa, Prof. Dr. Dashnim Hebibi, Prof. Dr. Xhavit Lipaj, Naser Uka nga LAPSH, poetë e krijues si Gani Bytyqi dhe Mehdi Hyseni, si dhe veprimtarë të shumtë të diasporës, duke e kthyer këtë koncert në një takim të madh kulturor shqiptar.

Në këtë mbrëmje, një moment i veçantë zuri vend të posaçëm: shpallja anëtar nderi e diplomatit Dr. Salih Sefa. Në shenjë mirënjohjeje për mbështetjen e tij shumëvjeçare ndaj aktiviteteve kulturore të Ansamblit “TROJET”, atij iu dorëzua mirënjohja nga Ambasadori Rexhep Demiri dhe Konsullja Ardita Mustafa. Ishte një çast krenarie dhe respekti, një falënderim publik për një mik që ka qëndruar pranë kulturës sonë me zemër dhe vëmendje.

Në pjesën festive, atmosfera u gjallërua nga muzika e Liridon Përvorfit, ku bashkatdhetarët festuan dhe vallëzuan së bashku, duke e kthyer mbrëmjen në një festë të vërtetë shqiptare, me duartrokitje, me këngë dhe me buzëqeshje.

Pas çdo suksesi qëndron një ekip organizativ që punon si një trup i vetëm. Me zemër plot mirënjohje falënderojmë të gjithë për përkushtimin dhe punën e palodhshme në mbarëvajtjen e koncertit. Çdo detaj mbajti vulën e dashurisë dhe përgjegjësisë suaj. Çdo sektor funksionoi me përpikëri dhe harmoni, ashtu siç i ka hije një organizimi serioz e dinjitoz. Ngrohtësia, buzëqeshja dhe korrektësia në pritjen dhe sistemimin e bashkatdhetarëve dhe miqve të ansamblit krijuan një atmosferë të rrallë. Ishte një mikpritje që na bëri krenarë dhe i dha shpirt mbrëmjes.

E gjithë ekipa organizative mori vlerësime për mikpritjen dhe harmoninë që reflektuat. Ne funksionuam si një familje e madhe, ashtu siç jemi në thelb. Ky unitet është forca që e bën Ansamblin “TROJET” të njihet dhe të respektohet kudo.

Një vend të veçantë në zemrat e publikut e zunë ushqimet tradicionale. Ato sollën aromën e shtëpisë së madhe shqiptare. Nga buka, byreku, krelani i misrit e flija, deri te ëmbëlsirat e shumta, tatlia e bakllavaja. Ishin duart e arta të nënave tona që gatitën me dashuri dhe bekim, duke e kthyer mbrëmjen në festë shpirti. I falënderojmë Nënat përzemërsisht për gatimet e tyre, sepse kur çdo punë bëhet me dashuri dhe respekt ndaj fëmijëve dhe njëri-tjetrit, atëherë lindin buzëqeshja, harmonia dhe suksesi.

Meritë e veçant për udhëheqësit artistikë Donjeta Gashi, Ensar Morina dhe Leotrim Gashi, që me përkushtim sollën skena emocionuese dhe risi artistike. Mbrenda një kohe te shkurt pasuruan ansamblin artistikisht ,. Përgjegjësit artistikë dhe kostumografinë, para çdo daljeje në skenë mbani barrën më të madhe të detajeve. Falë punës suaj, valltarët shkëlqyen me hijeshi artistike dhe dinjitet kombëtar. Kostumi ynë nuk është thjesht veshje. Është identitet, është histori e veshur me nder.

Po ashtu, falënderim për të gjithë anëtarët e tri grupmoshave. Fëmijët dhe të rinjtë tanë na dhuruan emocione të pastra dhe krenari të madhe. Në skenë ata nuk sollën vetëm valle e këngë, por shpirt, buzëqeshje dhe dritë. Çdo hap i tyre ishte dashuri për rrënjët, çdo zë ishte një premtim se tradita jonë jeton. Në sytë e tyre pamë të ardhmen, në duart e tyre vazhdimësinë, ndërsa në zemrat e tyre Shqipërinë që rreh fort edhe larg atdheut. Ata janë arsyeja pse punojmë, pse besojmë dhe pse vazhdojmë me krenari këtë rrugëtim kulturor.

I falënderojmë bashkatdhetarët tanë për mbështetjen e tyre, që me përkushtim dhe respekt na qëndrojnë pranë, me duartrokitje, fjalë inkurajuese dhe vlerësime që na motivojnë të punojmë për të mirën e fëmijëve tanë, që të ruajnë gjuhën, kulturën dhe identitetin tonë kombëtar.

Ansambli “TROJET” nuk është vetëm një skenë arti. Është një familje, një vatër kujtese dhe një urë që lidh brezat me rrënjët. Në çdo valle dhe këngë jeton historia jonë.

Çdo punë që bëhet me dashuri sjell suksese. Në emër të kryesisë së ansamblit, ju falënderojmë të gjithëve për kontributin dhe shpirtin që i dhatë kësaj feste.

Lavdi dhe krenari kombëtare.

Me respekt dhe mirënjohje,

Ansambli “TROJET”

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB