“Një nder që obligon në shërbim të fjalës shqipe”
Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë ka nderuar me Certifikatë Mirënjohjeje botuesin dhe drejtorin e gazetës letrare dhe kulturore kombëtare “Nacional”, Mujë Buçpapaj, për kontributin e tij të çmuar dhe të qëndrueshëm në shërbim të kulturës shqiptare dhe të dialogut kulturor shqiptaro-amerikan.
Në motivacionin e saj, Shoqata vlerëson angazhimin e tij për gati dy dekada në drejtimin e gazetës “Nacional”, duke theksuar rolin e saj në pasqyrimin dhe promovimin e krijimtarisë së shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë, si dhe të jetës kulturore të komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Po ashtu, vlerësohet kontributi i gazetës si urë lidhëse mes diasporës dhe lexuesve në Shqipëri e në hapësirën mbarëkombëtare, si dhe qëndrimi i saj në mbrojtje të çështjes kombëtare dhe në forcimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane.
Certifikata mban firmën e Presidentit të Shoqatës, shkrimtarit të njohur Adnan Mehmeti, dhe është dhënë në New York, më 17 shkurt 2026.
Në fjalën e tij të falënderimit, Dr. Buçpapaj e cilësoi këtë vlerësim si një nga momentet më domethënëse në rrugëtimin e tij intelektual, krijues dhe botues. “Pranimi i kësaj Mirënjohjeje, me një motivacion kaq të thellë e përmbajtësor, përbën një nder që më obligon moralisht dhe profesionalisht në shërbim të fjalës shqipe,” u shpreh ai.
Ai theksoi se ky vlerësim tejkalon dimensionin individual dhe përfaqëson një përpjekje kolektive për ruajtjen dhe lartësimin e kulturës shqiptare në diasporë, si dhe për konsolidimin e dialogut kulturor ndërmjet komuniteteve shqiptare në SHBA dhe atyre në atdhe.
Dr. Buçpapaj shprehu mirënjohje të veçantë për Presidentin Adnan Mehmeti për vizionin dhe përkushtimin e tij në drejtimin e Shoqatës që nga themelimi, si dhe për kryetaren aktuale, Yllka Filipi, për seriozitetin akademik dhe energjinë krijuese në udhëheqjen e veprimtarisë së saj. Falënderimi i tij u shtri edhe për Kryesinë dhe të gjithë anëtarët e Shoqatës, të cilët mbajnë gjallë gjuhën, letërsinë dhe vetëdijen kulturore shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në përmbyllje, ai theksoi se kjo mirënjohje nuk është thjesht një çmim, por një thirrje për vazhdimësi, për përkushtim dhe për besnikëri ndaj idealit të përbashkët: ruajtjes dhe zhvillimit të identitetit kulturor shqiptar në hapësirën globale, transmeton helveticALforum.ch




