Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, në fjalën e saj para Këshillit të Përhershëm të OSBE-së, i mbledhur sot në Vjenë me rastin e katërvjetorit të agresionit rus ndaj Ukrainës, theksoi se qëndresa e popullit ukrainas është kthyer në një shembull frymëzues guximi dhe uniteti për mbarë Europën.
“Katër vjet më parë, Rusia nisi pushtimin e saj të plotë, duke besuar se Ukraina do të binte brenda ditësh. Katër vjet më vonë, Ukraina qëndron. Jo sepse lufta ka qenë e lehtë, jo sepse kostoja ka qenë e vogël, por sepse guximi juaj ka qenë më i madh se frika që ju është imponuar. Rusia priste dorëzim, por gjeti një komb të bashkuar në dinjitet. Synonte nënshtrim, por u përball me vendosmëri”, u shpreh Spiropali.
Ajo rikujtoi vizitën e saj në Kiev në janar, ku u takua me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky dhe ministrin e Jashtëm, Dmytro Kuleba, dhe theksoi se temat nuk ishin vetëm për durimin, por edhe për rindërtimin, reformat dhe të ardhmen europiane të Ukrainës.
“Një vend që planifikon rindërtimin në mes të luftës është një vend që beson në të nesërmen e tij. Takova gjithashtu ushtarë ukrainas që po shëroheshin nga plagët e betejës. Trupat e tyre mbanin shenjat e luftës, por shpirti mbetej i pathyeshëm, i qetë, i vendosur dhe me shikim përpara”, theksoi Spiropali.
Ajo vuri në dukje se sakrifica e tyre nuk është vetëm për territore, por për parimet që përcaktojnë Europën, liri, sovranitet, dinjitet njerëzor dhe drejtësi.
“Qasja agresive e Rusisë nuk është vetëm sulm ndaj Ukrainës, por një tentativë për të minuar themelet e sigurisë europiane. Ajo kërkon të normalizojë ndryshimin e kufijve me forcë, të na ndajë dhe të shfrytëzojë lodhjen tonë si politikë. Nuk duhet ta lejojmë lodhjen të bëhet politikë. Paqja është objektivi ynë i përbashkët”, deklaroi Spiropali.
Ajo nënvizoi se çdo vend përgjegjës kërkon paqe, por paqja nuk mund të shpërblejë agresionin, nuk mund të legjitimojë pushtimin dhe nuk mund t’i kërkojë Ukrainës të komprometojë sovranitetin e saj për një qetësi të përkohshme.
“Drejtësia nuk është armiku i paqes. Drejtësia është ajo që e bën paqen të qëndrueshme. Ata që janë përgjegjës për krime lufte dhe shkelje të rënda të së drejtës humanitare ndërkombëtare duhet të mbahen përgjegjës, jo nga hakmarrja, por nga respekti për ligjin, viktimat dhe stabilitetin e ardhshëm të kontinentit tonë”, u shpreh ajo.
Spiropali konfirmoi qëndrimin e palëkundur të Shqipërisë.
“Ne qëndrojmë fuqimisht për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës. Mbështesim çdo përpjekje diplomatike të besueshme drejt një paqeje gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme, duke përfshirë angazhimin e vazhdueshëm të partnerëve tanë transatlantikë. Paqja duhet të jetë në përputhje me ligjin ndërkombëtar, të ruajë pavarësinë e Ukrainës dhe të mbrojë rrugën e saj europiane”, tha ajo.
Ajo përmendi sakrificat e qyteteve dhe familjeve që kanë vuajtur, duke theksuar se historia do të masë këtë moment jo vetëm nga koha, por nga qartësia e parimeve dhe nga besnikëria ndaj tyre në kohë prove.
“Sot, Shqipëria qëndron me Ukrainën, me popullin tuaj, me lirinë tuaj, me të drejtën tuaj për të zgjedhur të ardhmen tuaj. Qëndrueshmëria juaj ka frymëzuar Europën. Vendosmëria juaj e ka forcuar atë. Ukraina do të qëndrojë. Ukraina do të triumfojë. Ju nuk jeni vetëm”, përfundoi Spiropali, transmeton rtsh.




