Nga Dashnim HEBIBI
LAPSH “Naim Frashëri” në Zvicër nuk është thjesht një institucion mësimor. Ajo është vatër dijeje, atdhedashurie dhe identiteti, një urë e gjallë që lidh brezat e rinj të diasporës me gjuhën, kulturën dhe rrënjët tona kombëtare. Në çdo klasë ku dëgjohet shqipja, rreh zemra e kombit.
Pa gjuhë nuk kemi identitet, pa identitet nuk kemi të ardhme. Prandaj sot më shumë se kurrë kemi nevojë për përkushtim, unitet dhe vizion të përbashkët për ta forcuar edhe më tej shkollën tonë shqipe. Kjo kërkon angazhim konkret: më shumë mbështetje nga prindërit, më shumë bashkëpunim nga komuniteti, më shumë vullnet nga intelektualët dhe më shumë hapësirë për rininë.
Rinia e diasporës është e gatshme të kontribuojë. Ajo pret projekte konkrete, aktivitete kulturore, iniciativa kreative dhe hapësira ku gjuha shqipe të mos jetë vetëm lëndë mësimore, por pjesë e përditshmërisë së saj – në art, në teknologji, në aktivitete sociale e kulturore. Ne duhet t’ua krijojmë këto mundësi.
Mirënjohje të veçantë meritojnë mësuesit tanë, sidomos ata në pension, të cilët vazhdojnë me përkushtim të jashtëzakonshëm të japin kontribut për ABC-në shqipe. Përvoja, dashuria për gjuhën dhe sakrifica e tyre janë themel i fortë për ruajtjen e identitetit tonë në diasporë. Ata nuk japin vetëm mësim – ata japin shembull, frymëzim dhe shpirt atdhedashurie. Janë gardianë të gjuhës sonë.
Njëkohësisht, presim nga institucionet përkatëse që të angazhohen seriozisht dhe vazhdimisht për shkollën shqipe në diasporë, me mbështetje konkrete dhe strategji afatgjata. Mjaft me premtime boshe. Kontributi i mësuesit nuk duhet të përmendet vetëm më 7 Mars, por të vlerësohet dhe të mbështetet gjatë gjithë vitit, me politika të qëndrueshme dhe përkrahje reale.
Sot është koha për veprim. Të bashkohemi rreth qëllimit tonë të përbashkët: ta mbajmë gjallë gjuhën shqipe, ta forcojmë shkollën tonë dhe t’u lëmë brezave që vijnë një trashëgimi të fortë, të gjallë dhe krenare.
Faleminderit me mirënjohje të thellë shtetit zviceran për hapësirën, mbështetjen dhe mundësitë që u ofron komuniteteve për të ruajtur dhe zhvilluar identitetin e tyre.
Ta ndihmojmë sot, që të kemi një të ardhme më të fortë nesër!




