Nga Vaxhid Xhelili, Zvicër
Sa herë vjen Ramazani, në Kosovë dhe nëpër Evropë zgjohen disa zëra që gjatë njëmbëdhjetë muajve të tjerë duken krejt të zakonshëm, pothuajse të padukshëm. Por sapo dëgjohet thirrja e parë e iftarit, ata ngrihen si demi në arenë, me brirët përpara, duke kërkuar dikë për ta goditur.
Janë kundër islamit, kundër shqiptarëve, kundër vetë njeriut – apo kështu duken? E quajnë veten “roje” të kombit. Roje të kujt? Të një ideje që dridhet nga një lutje e qetë? Të një flamuri që, sipas tyre, rrezikohet nga një agjërim?
Nuk e di nëse kërkojnë vëmendje, apo vërtet i tremb mendimi se duke besuar në Zot, duke hyrë në xhami, duke përkulur ballin në sexhde, ne po çkombëtarizohemi. Sikur kombi të ishte kaq i brishtë, sa të shembej nga një lutje e heshtur.
Më e dhimbshmja është se disa prej këtyre “rojave” rrinë zgjuar vetëm aq sa të hartojnë një “xhevahir” në laptopin e tyre. E postojnë në rrjete sociale me një ndjenjë triumfi të vogël, pastaj shtrihen në krevatin e butë të rehatisë së tyre virtuale. Luftën e kanë bërë. Armikun e kanë shpallur. Dhe tani mund të flenë të qetë.
Unë personalisht njoh disa prej tyre. Njëmbëdhjetë muaj të vitit janë njerëz të zakonshëm, me hallet dhe gëzimet e tyre. Por gjatë Ramazanit, sikur u zgjohet një nevojë për të zbrazur në shesh rimorkion e mbeturinave të grumbulluara brenda vetes. Një barrë fjalësh të hidhura që helmojnë ajrin. Dhe helmimi, si zakonisht, i prek më së pari ata vetë dhe familjet e tyre.
Ndoshta nuk është feja ajo që i shqetëson. Ndoshta është frika. Frika nga tjetri. Frika nga ajo që nuk e kontrollojnë. Frika nga përulësia, sepse përulësia kërkon guxim – më shumë guxim sesa një status në rrjete sociale.
Unë sinqerisht lutem për ta. Jo me zemërim, por me dhimbje. Që ta gjejnë qetësinë brenda vetes. Që ta kuptojnë se Zoti nuk e zvogëlon kombin, por e fisnikëron njeriun. Dhe vetëm njeriu i fisnikëruar mund ta bëjë kombin më të fortë.
Sepse rruga e Zotit nuk e përjashton askënd. Ajo nuk e ndan shqiptarin nga shqiptari. Nëse duam ta bëjmë krenar Skënderbeun, nëse duam ta nderojmë Nënë Terezën, duhet të mësojmë të jetojmë me njëri-tjetrin – me besimtarë e jobesimtarë, me myslimanë, të krishterë, ateistë, budistë apo mormonë. Kombi nuk është fe, por as feja nuk është armik i kombit.
Agjërim të lehtë për të gjithë ata që e duan kombin dhe punojnë për të.
Zoti qoftë me ne!
Zoti e ndriçoftë rrugën tonë!
Amin!




