Përgatiti: D.H
Shefi i Misionit të Posaçëm të Kosovës në Vatikan, Prof.Dr.Vehbi Miftari, mori pjesë dje në një konferencë shkencore të mbajtur në Università di Bologna, me temën: “Arbëreshët e Italisë – një kulturë midis dy brigjeve të Adriatikut”. Në këtë aktivitet akademik, ai paraqiti kumtesën me titull: “Raporti i letërsisë me etnokulturën dhe kombformimin – roli i arbëreshëve”.
Në qendër të trajtesës së tij ishte mënyra se si bashkësitë e shkëputura nga trungu etnik e përjetojnë dhe e rindërtojnë lidhjen me atdheun historik. Duke iu referuar konceptit të “lieu d’histoire” dhe “lieu de mémoire” të historianit francez Pierre Nora, Miftari theksoi se për arbëreshët vendi historik shndërrohet në vend kujtese, duke përcaktuar jo vetëm raportin e tyre me të kaluarën, por edhe mënyrën se si ata e ndërtojnë identitetin kulturor në kohë.
Sipas tij, arbëreshët e Italisë e kanë ruajtur një lidhje të pashkëputshme dhe të përhershme me atdheun historik. Tek kjo bashkësi, “homeland”-i nuk mbetet thjesht një nocion gjeografik, por shndërrohet në simbolikë jete, në bosht rreth të cilit organizohet kujtesa kolektive dhe vetëdija identitare.
Duke u mbështetur edhe në teorinë e etnosimbolizmit të studiuesit britanik Anthony D. Smith, ai vuri në pah se arbëreshët i kanë ripërtërirë vazhdimisht shenjat e mëdha të repertorit të tyre etnosimbolik – bëmat epike, heroizmin e trimave arbër dhe figurat mitike të së kaluarës. Këto elemente nuk kanë mbetur thjesht kujtime, por janë kultivuar përmes këngëtimit epik-legjendar, duke u shndërruar në narrativë për veten dhe në mekanizëm të fuqishëm të ruajtjes së identitetit.
Nga kjo traditë e pasur gojore, theksoi Miftari, lindi më pas edhe një krijimtari letrare e shkruar, e cila e pati si parabazë modelin e këngëve epike. Kështu, letërsia arbëreshe u bë jo vetëm shprehje artistike, por edhe instrument i kombformimit dhe i vetëdijes kulturore.
Konferenca në Bolonjë mblodhi studiues e albanologë nga vende të ndryshme, duke dëshmuar interesimin e vazhdueshëm akademik për rolin historik e kulturor të arbëreshëve si urë lidhëse midis Shqipërisë dhe Italisë, midis dy brigjeve të Adriatikut, transmeton helveticALforum.ch




