Përgatiti D.H
Mbrëmë, Misioni i Kosovës në Selia e Shenjtë shënoi 18-vjetorin e pavarësisë së Republikës së Kosovës në një ceremoni solemne, ku morën pjesë ambasadorë të shumë shteteve, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendeve më të mëdha të Bashkimit Europian, shtete të rajonit e të mbarë globit, përfaqësues të institucioneve të ndryshme të Vatikanit, të klerit katolik shqiptar në Itali e të famullive të ndryshme, përfaqësues të arbëreshëve nga rajone të ndryshme – nga Sicilia e Kalabria në Piemonte – studiues, profesorë, njerëz të kulturës e të artit, si dhe miq të shumtë të Kosovës.

Të pranishmit iu gëzuan përvjetorit të 18-të të Kosovës së pavarur dhe rrugëtimit të saj të rritës dhe konsolidimit. Tetëmbëdhjetë qirinjtë mbi tortën me ngjyrat e Kosovës shënuan simbolikisht këtë përvjetor të rëndësishëm për shtetin më të ri në Evropë.
Shefi i Misionit të Kosovës në Selinë e Shenjtë, z. Vehbi Miftari, theksoi peshën historike dhe politike të pavarësimit të Kosovës në hartën globale.
“17 shkurti i vitit 2008 e renditi Kosovën në mesin e kombeve të lira, ku liritë dhe përgjegjësitë shkojnë krahas njëra-tjetrës dhe ku dashuria për vendin përkthehet në motivim për ta rindërtuar e zhvilluar atë, duke e përmbyllur një rrugëtim të gjatë e të vështirë për liri – rrugëtim i cili nuk do të ishte i mundur pa miqtë e shumtë, të cilët jo vetëm u rreshtuan krah popullit të Kosovës në synimin për liri e pavarësi, por qëndruan krah nesh edhe në ndërtimin e shtetit të Kosovës. Ne do t’u jemi përjetësisht mirënjohës atyre”, tha ai.

Në fjalën e tij, ambasadori nënvizoi rolin e Selisë së Shenjtë dhe të Atit të Shenjtë në promovimin e vlerave humane dhe të paqes globale, si dhe kujdesin e vazhdueshëm ndaj popullit të Kosovës. Ai vuri në pah miqësinë e hershme e të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe mbështetjen e vendeve e popujve miq anembanë botës.
Duke folur për marrëdhëniet me Selinë e Shenjtë, z. Miftari theksoi rëndësinë e themelimit të Misionit të Posaçëm të Republikës së Kosovës në Selinë e Shenjtë, pas pajtimit mes Papa Françesku dhe Presidentes së Republikës, znj. Vjosa Osmani, që Kosova të ketë prani të përhershme në Selinë e Shenjtë.

“Themelimi i misionit të Posaçëm të Republikës së Kosovës në Selinë e Shenjtë shënon një moment të veçantë në synimet tona për paqe të qëndrueshme. Ai është dëshmi e njohjes së përkushtimit ndaj vlerave njerëzore dhe përpjekje për promovimin e mëtejmë të tyre. Si përfaqësues i parë i Republikës në Selinë e Shenjtë, jam i lumtur të theksoj se tashmë jo vetëm misioni, por edhe raportet tona kanë njohur përparim të ndjeshëm”, nënvizoi ai.
Në vijim, ambasadori shtoi:
“Duke e njohur shpirtin e paqes, dashurisë dhe lirive njerëzore që Selia e Shenjtë i përfaqëson, ne e lusim çdo ditë Zotin që Papa i mirë, Luani XIV, në frymën e paqes, harmonisë e dashurisë për njerëzimin, ta njohë sakrificën mijëravjeçare të popullit të Kosovës dhe ta bekojë Republikën e Kosovës, duke marrë vendimin për njohjen formale të saj.”
Mbrëmja festive u pasurua edhe me pika artistike, të cilat i dhanë një dimension kulturor e emocional ngjarjes. Të pranishmit patën mundësi të ndjekin interpretimet e sopranos Anastasia Skënderaj, e cila solli për publikun këngët “Unë, biri yt Kosovë” dhe “N’at zaman t’njasaj furie”, duke përmbyllur kështu një mbrëmje solemne në nder të 18-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, transmeton Misioni i Posaçëm i Republikës së Kosovës në Selinë e Shenjtë në Vatikan, përcjell helveticALforum.ch




