Nga Dashnim HEBIBI, Prishtinë
Prishtinë, 17 shkurt 2026 – Mijëra bashkëkombas nga Lugina e Preshevës qëndruan sot në Kosovë për të marrë pjesë në aktivitetet festive dhe për të shprehur solidaritetin e tyre kombëtar për 18 vjetorin e shtetit të Kosovës. Sipas informacioneve të siguruara nga helveticALforum.ch, që mbrëmë shumë automjete të mbushura me bashkëkombas nga Lugina kishin ardhur në Kosovë, ndërsa edhe në orët e para të mëngjesit vazhdonin të arrinin grupe të tjera.

Në mesin e tyre takuam edhe bashkatdhetarë që kishin ardhur nga Zvicra, si veprimtarin dhe bamirësin e njohur nga fshati Tërnoc, Rafet Ademi, si dhe editorin e helveticALforum.ch e njëherit kryetar i Shoqatës Humanitare “Lugina e Preshevës” në Zvicër, PhD Dashnim Hebibi, i shoqëruar nga nipi i tij Genti Hebibi dhe djali i tij 12-vjeçar, Adi Hebibi.

Në orët e para të ditës festive, mysafirët nga Lugina u pritën nga Dr. Dergut Aliu, themelues dhe drejtor i Spitali Lindja në Prishtinë, një institucion shëndetësor me mbi 30 vjet përvojë pune e njëherit veprimtar i njohur me prejardhje nga Bujanoci. Pas kafes së parë të mëngjesit, ata iu drejtuan sheshit qendror për të ndjekur nga afër parakalimin e Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Policia e Kosovës, duke përshëndetur organizimin dhe pjesëmarrjen masive.

Po ashtu, ata nderuan organizatorët dhe morën pjesë në Marshi për Drejtësi, protestë për lirinë e çlirimtarëve që po, mbahen padrejtësisht në Hagë.

Megjithëse moti ishte me reshje shiu dhe bore herë pas here, prania e mijëra bashkëkombasve nga të gjitha trevat shqiptare, përfshirë Luginën e Preshevës, dëshmoi edhe një herë lidhjen e fortë shpirtërore dhe kombëtare me Kosovën.

Pjesëmarrja e tyre masive tregoi se Lugina e Preshevës i ka sytë dhe zemrën drejt Kosovës, duke e bërë këtë ditë edhe më domethënëse për të gjithë shqiptarët. / helveticALforum.ch




