Presidenti Armand Duka, falënderoi anëtarët e Asamblesë së Përgjithshme Zgjedhore për besimin e dhënë dhe rizgjedhjen e tij në krye të institucionit më të lartë të futbollit në vend.
Në fjalën e tij, presidenti Duka e cilësoi rikonfirmimin si një vlerësim të madh, por mbi të gjitha si një përgjegjësi për të vijuar punën në shërbim të futbollit shqiptar dhe komunitetit të tij.
“Dua t’ju falënderoj edhe njëherë nga zemra për mbështetjen e sotme, për mbështetjen e vazhdueshme që më keni dhënë mua dhe Federatës Shqiptare të Futbollit. Për mua ky nuk është thjesht një votim, është një përgjegjësi e madhe, vlerësim dhe më bën, apo më detyron që të jem akoma më i përkushtuar në shërbim tuaj dhe të FSHF.
Ju premtoj që ne do të bëjmë maksimumin që federata jonë, loja dhe futbolli ynë, kampionati, ekipet tona kombëtare, zhvillimi i infrastrukturës dhe stabiliteti financiar i FSHF-së të jenë në nivelet maksimale në vitet e ardhshme. Uroj që të gjithë ne bashkë të jemi pjesë e Kampionatit Botëror 2026. Suksese Silvinjos, ekipit kombëtar. Faleminderit të gjithëve”, – tha presidenti Duka, transmeton rtsh.




