Përgatiti Dahest LUMA, Milano
Libri “Rexhep Demiri – Dritëhijet e një rrugëtimi diplomatik”, i autorëve PhD. Dashnim Hebibi dhe Florim Useini, i kushtuar veprimtarisë së ambasadorit të Maqedonisë së Veriut në Zvicër, Sh.T. Rexhep Demiri, po mirëpritet gjerësisht në diasporën shqiptare. Vepra pasqyron kontributin e tij diplomatik dhe kulturor në shërbim të mërgatës, si dhe angazhimin për ruajtjen dhe forcimin e identitetit kombëtar.

Libri u promovua më 17 janar 2026 në Zvicër, në një aktivitet që u cilësua historik për nga organizimi dhe pjesëmarrja, me mbi 300 të pranishëm, shumica veprimtarë të njohur të diasporës. Interesimi i madh i lexuesve ka bërë që autorët të paralajmërojnë ribotimin e tij në një të ardhme të afërt.
Gjatë një takimi në rrethinën e Cyrihut, ku ishin të pranishëm ambasadori Demiri, autorët e librit dhe veprimtari e afaristi i njohur shkodran Kristian Cuku, u bë edhe një kërkesë konkrete që libri të promovohet në qytetin historik të Lezhës. Cuku vlerësoi lart punën e autorëve dhe rëndësinë e veprës, duke theksuar se “vetëm me punë dhe përkushtim arrihet suksesi dhe duhet mbështetur meritokracia, duke vlerësuar ata që punojnë dhe kontribuojnë realisht”.

Sipas autorëve, pas promovimeve të planifikuara në Gjermani, libri pritet të prezantohet edhe në trojet shqiptare, përfshirë Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.

Ndërkohë, libri po shpërndahet gjerësisht në diasporë, ndërsa autorët kanë shprehur mirënjohje për donatorët që mundësuan financiarisht botimin e tij, duke bërë të mundur që vepra të shpërndahet falas, me synimin që të arrijë sa më shumë lexues dhe të dokumentojë një rrugëtim të rëndësishëm diplomatik në shërbim të komunitetit shqiptar, transmeton helveticALforum.ch




