Nga Arsim Mulliqaj, publicist dhe atdhetar, Milano
Milano, 12 Shkurt 2026 – Me fillimin e mandatit të ri, Kuvendi dhe Qeveria e Republikës së Kosovës nisin një kapitull të ri pune dhe përgjegjësie në shërbim të qytetarëve tanë. Çdo fillim mbart me vete shpresë, pritje dhe besim se institucionet tona do të jenë në lartësinë e detyrës historike që kanë përpara.
Zgjedhja e zonjës Albulena Haxhiu në detyrën e Kryetares së Kuvendit përbën një moment të rëndësishëm për demokracinë parlamentare të vendit. Asaj i urojmë punë të mbarë, me përgjegjësi të lartë institucionale, qytetare e kombëtare. Kryetarja Haxhiu bart mbi supe një mision fisnik: të garantojë funksionimin demokratik të Kuvendit, të ruajë frymën kushtetuese dhe të përfaqësojë denjësisht vullnetin e qytetarëve. Besimi ynë është se ajo do ta kryejë këtë detyrë me përkushtim, drejtësi dhe ndershmëri, duke respektuar parimet kushtetuese dhe vlerat njerëzore.
Ndërkaq, Kryeministrit të Republikës së Kosovës, zotëri Albin Kurti, i dëshirojmë jetë të gjatë sa malet e lashta të Dardanisë sonë. Figura e tij është e lidhur ngushtë me periudha të rëndësishme të historisë sonë të re. Më rikthehen në kujtesë fjalët e profesoreshës sime, Afrife Kurti, në marsin e vitit 1998, kur me krenari e dhimbje na thoshte neve studentëve: “Njërin nga tre djemtë ia kam falë lirisë së Kosovës.” E dija se ajo fliste për të birin e saj, Albin Kurtin, i cili në atë kohë ishte një ndër prijësit e zhvillimeve të mëdha kombëtare.
Sot, si Kryeministër i vendit, z. Kurti i njeh mirë rrethanat e së kaluarës dhe sfidat e së tashmes. Ai posedon një thesar përvoje, dijeje dhe përkushtimi, duke e ditur qartë se çfarë i duhet mëmëdheut tonë në qeverisje. Kosova ka nevojë për vendimmarrje të mençur, për reforma të thella dhe për një qeverisje që vendos interesin qytetar mbi çdo interes tjetër.
Qeveria e re, me ministra të përzgjedhur ndër më të mirët, duhet të ndërmarrë kthesa të rëndësishme për të përmirësuar mirëqenien e qytetarëve tanë, të cilët përballen çdo ditë me sfida ekonomike, sociale dhe institucionale. Koha kërkon punë konkrete, transparencë dhe përgjegjësi.
Besimi im në këtë Qeveri buron nga njohja e zotësisë, dijes dhe guximit të Kryeministrit Kurti, si dhe nga shpresa se institucionet tona do të punojnë me përkushtim për të ardhmen e vendit. Kosova meriton stabilitet, zhvillim dhe dinjitet në çdo hap të saj.
Urime të përzemërta për Kuvendin dhe Qeverinë e re të Republikës së Kosovës, me dëshirën që puna e tyre të jetë në shërbim të qytetarëve dhe në nder të shtetit tonë.




