POSTIMET E FUNDIT

DY POEZI

Nga Ragip RAMAJ, Gjermani

SHIU LAG NATËN E PLAGËVE TONA

këtyre udhëve gjithçka është e heshtur

gjëmën e hapave tanë e thith klithma e Natës

që rri varur n’krahnezën e pemëve

ndanë rrugëve

me gjethe të kalbura vetmie

një shi që s’pranë

lag natën e plagëve tona

në këmbët plot ushla

MARRIM FRYMË ME RADHË

mbrëmë bëmë një pushim në Rrethin e Shtatë të Dantes

tani po nisemi drejt pjesës tjetër të ferrit

dhe po marrim me vete edhe pjesên tjetër të Natës

që na ka tepruar nga terri i syve tanë

2

edhe fjalët i humba

tani këto nuk po flasin ma as me mue

u bënë gjethe të thata vetmie

n’vjeshtën e harrimit

3

nënë

te shoh për çdo natë

kur e mbyll derën e vetmisë

dhe rrotullon dy herë çelësin e mallit

4

eja në dritaren me xhama të krisur vetmie,

moj nënë

ta shuajmë mallin me nga një gotë etje

nuk mund t’i duroj këto male ndarjeje në mes

as këto dete e oqeane largësie

5

këtu ka gjithçka dhe mungon çdo gjë

edhe ajrin e ha vetmia

marrim frymë me radhë

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB