75 kongresmenë amerikanë kundër pezullimit të vizave: Vendim “diskriminues” që prek edhe Kosovën e Shqipërinë
Një grup prej 75 kongresmenësh amerikanë i kanë dërguar një letër Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, ku shprehin shqetësimin e tyre të thellë lidhur me vendimin e administratës për të pezulluar vizat e emigracionit për 75 shtete të botës, mes të cilave përfshihen edhe Kosova dhe Shqipëria.
Në letrën drejtuar Rubios, ligjvënësit e cilësojnë këtë masë si “skandaloze dhe diskriminuese”, duke theksuar se ajo prek rreth 40 për qind të vendeve të botës dhe mund të ndikojë pothuajse gjysmën e emigrantëve të ligjshëm që synojnë të jetojnë dhe punojnë në Shtetet e Bashkuara.
Sipas kongresmenëve, pezullimi i vizave godet drejtpërdrejt disa nga shtyllat kryesore të emigracionit ligjor, përfshirë procesin e ribashkimit familjar, vizat e sponsorizuara nga punëdhënësit, programin e diversitetit, si dhe veprimtarinë e organizatave fetare dhe bizneseve të vogla.
“Ky është një vendim skandaloz dhe diskriminues i administratës suaj, i cili prek qindra mijëra njerëz çdo vit. Ai u njoftua jo vetëm përmes një postimi në Twitter, por edhe pa ofruar ndonjë informacion të detajuar mbi mënyrën e zbatimit të pezullimit,” thuhet në letrën e nënshkruar nga kongresmenët.
Ata paralajmërojnë se kjo politikë do të sjellë pasoja të rënda sociale dhe ekonomike, duke ndarë familje, duke penguar integrimin e emigrantëve të ligjshëm dhe duke ndikuar negativisht edhe te komunitetet dhe zgjedhësit amerikanë që varen nga kontributi i tyre.
Lista e vendeve të prekura përfshin shtete nga Evropa, Azia, Afrika dhe Amerika Latine, si Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Armenia, Azerbajxhani, Iraku, Irani, Brazili, Kuba dhe shumë të tjera.
Kongresmenët i bëjnë thirrje administratës amerikane që të rishikojë urgjentisht vendimin dhe të ndërmarrë masa për të shmangur ndarjen e familjeve, si dhe për të ruajtur mundësitë ligjore të emigrantëve për të jetuar dhe punuar në SHBA.
Ndërkohë, vendimi i Sekretarit Rubio ka shkaktuar reagime të shumta në komunitetet ndërkombëtare dhe veçanërisht në diasporën shqiptare, e cila paralajmëron se pezullimi i vizave do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në ribashkimin familjar dhe në aktivitetin ekonomik të emigrantëve në Shtetet e Bashkuara, transmeton rtk.





