Procesit më të madh gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë po i vjen fundi. Javën e ardhshme, gjykimi hyn në fazën e fjalës përfundimtare të palëve, ku secila do t’i paraqesë argumentet e saj para trupit gjykues.
Nga 9 deri më 18 shkurt, në sallën e gjyqit do të mbahen seanca me fjalët përfundimtare të Prokurorisë, përfaqësuesit të viktimave, mbrojtjes dhe në fund edhe të katër të akuzuarve: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Lirimin e tyre nga paraburgimi sa më parë e presin bashkëluftëtarët dhe përfaqësuesit e organizatave të dala nga lufta. Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, thotë se pavarësisht, siç e quan ai, një gjykimi të padrejtë, mbrojtja ka qenë shumë e fuqishme gjatë gjithë procesit.
“Presim që fjala përfundimtare të jetë e prokurorëve dhe e avokatit të viktimave, që realisht s’ka pasur fare. Më 16 dhe 18 shkurt janë fjalët përfundimtare të presidentit Thaçi dhe të tjerëve – bacit Jakup, Rexhepit dhe Kadrisë. Presim nga mbrojtja që të jetë e fuqishme dhe t’i hedhë poshtë të gjitha pikat e aktakuzës. Besojmë dhe shpresojmë që këtë vit, ndoshta para muajit maj, të kemi verdikt pozitiv për lirimin e tyre”, tha Gucati për RTK.
Sipas monitoruesve të procesit, epilogu i gjykimit është afër dhe bazuar në dëshmitë e paraqitura nga mbrojtja, lirimi i katërshes do të ishte vendimi i duhur.
“Gjatë procesit kemi parë një aktakuzë shumë të dobët dhe një përfaqësim jo bindës nga ana e prokurorisë. Nëse krahasojmë dëshmitë publike, dëshmitarët e mbrojtjes kanë qenë më kredibilë dhe me më shumë njohuri për rrethanat historike dhe proceset nëpër të cilat ka kaluar Kosova. Lajmi i mirë është se kemi ardhur në fund dhe besoj se në muajt në vazhdim do ta dimë epilogun”, tha Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i IKD-së.
Edhe njohësit e fushës së drejtësisë vlerësojnë se mbrojtja ka zhvilluar një proces të fuqishëm. Avokati Ardian Bajraktari thotë se prokuroria nuk ka arritur t’i dëshmojë pikat kyçe të aktakuzës.
“Dëshmitarët e mbrojtjes kanë qenë jashtëzakonisht të besueshëm dhe relevantë për procesin, shumë prej tyre edhe dëshmitarë okularë. Elementet esenciale të aktakuzës, në bindjen time, nuk janë argumentuar, veçanërisht çështja e zinxhirit të hierarkisë komanduese”, tha Bajraktari.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë për më shumë se pesë vjet, ndërsa gjykimi ndaj tyre ka nisur në prill të vitit 2023, transmeton rtk.




