Një muaj pas zjarrit shkatërrues në barin “Le Constellation” në Crans-Montana, Zvicra vazhdon të përballet me pasojat e një prej tragjedive më të rënda në historinë e fundit të vendit. Bilanci i viktimave është rritur në 41 persona të vdekur, ndërsa 115 të tjerë janë plagosur, shumë prej tyre me djegie të rënda dhe pasoja afatgjata shëndetësore.
Sipas autoriteteve shëndetësore, 23 të plagosur vazhdojnë të trajtohen në spitale zvicerane, përfshirë Qendrën Spitalore Universitare të Lozanës (CHUV) dhe Spitalin Universitar të Cyrihut (USZ). Gjendja e disa pacientëve mbetet kritike. Ndërkohë, 41 viktima të tjera po trajtohen jashtë Zvicrës, kryesisht në Francë (17), Itali (12), Gjermani (7) dhe Belgjikë (5), në qendra të specializuara për djegie të rënda, transmeton 20min.ch. Të shtunën, autoritetet konfirmuan se një 18-vjeçar zviceran ndërroi jetë në Spitalin Universitar të Cyrihut, duke e çuar numrin e viktimave në 41. Mediat raportuan se i riu ishte infektuar me bakterin Acinetobacter baumannii, një infeksion që shfaqet shpesh tek pacientët me djegie të rënda. Spitali bëri të ditur se janë marrë masa për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të infeksionit.
Autoritetet federale marrin kontrollin e koordinimit
Pas tragjedisë, Këshilli Federal i Zvicrës ka ngritur një mekanizëm të posaçëm koordinimi në nivel kombëtar. Konferenca e Sekretarëve të Përgjithshëm (GSK), nën drejtimin e Kancelarisë Federale, është ngarkuar që prej 8 janarit 2026 me koordinimin mes departamenteve federale, kantonit të Valais, institucioneve shëndetësore dhe autoriteteve kantonale.
Fokusi i punës përfshin ndihmën për viktimat dhe familjet, mbulimin e sigurimeve, trajtimin mjekësor dhe rehabilitimin, çështjet ndërkombëtare si dhe komunikimin publik. Autoritetet theksojnë se situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme dhe se informacioni mbi gjendjen e të plagosurve përditësohet rregullisht.
Hetimet penale dhe përgjegjësitë
Paralelisht me trajtimin e viktimave, hetimet penale janë intensifikuar. Komandanti i zjarrfikësve të Crans-Montana, David Vocat, do të merret në pyetje nga prokuroria si “person që ka dijeni për rastin”. Gjithashtu, përgjegjësit e sigurisë së komunës janë thirrur si të dyshuar, ndërsa seancat po zhvillohen në ambientet e universitetit HES-SO Valais-Wallis për shkak të numrit të madh të avokatëve dhe palëve të përfshira.
Mediat zvicerane kanë zbuluar gjithashtu se pronari i lokalit, Jacques Moretti, ishte gjobitur në vitin 2020 për shitje të alkoolit të fortë të miturve, fakt që ka ngritur pyetje serioze mbi respektimin e rregullave dhe kontrollin e sigurisë në lokal.
Dëshmi prekëse dhe pasoja psikologjike
Shumë nga të mbijetuarit përballen me trauma të rënda psikologjike. Një vajzë 18-vjeçare, e trajtuar në Belgjikë me transplantime të lëkurës, deklaroi për mediat franceze se vuan nga makthe të vazhdueshme dhe se pamjet e natës tragjike nuk i largohen nga mendja. Edhe familjarët e viktimave flasin për dhimbje të thellë dhe një proces zie që vazhdon.
Crans-Montana mes sportit dhe zisë
Gjatë fundjavës, Crans-Montana ishte edhe skenë e garave të Kupës së Botës në ski. Anëtari i Këshillit Federal, Martin Pfister, nderoi viktimat para garës, duke theksuar kontrastin e dhimbshëm mes festës sportive dhe zisë që mbizotëron ende në qytet, transmeton 20min.ch, përcjell helveticALforum.ch




