Në mungesë të kontratave aktive të lobimit në Shtetet e Bashkuara, Kosova po mbështetet kryesisht në diplomacinë personale të presidentes Vjosa Osmani për të ruajtur dukshmërinë në arenën ndërkombëtare. Pjesëmarrja e saj në ceremoninë e nënshkrimit të Kartës së Bordit të Paqes për Gazën dhe takimet me presidentin Donald Trump, kanë rikthyer vëmendjen e mediave ndërkombëtare ndaj Kosovës, por ekspertët paralajmërojnë se këto angazhime individuale nuk mund ta zëvendësojnë një strategji të strukturuar lobimi në Uashington.
Sipas të dhënave nga regjistri amerikan i Agjentëve të Huaj, FARA, Kosova nuk ka asnjë kontratë aktive lobimi që nga qershori i vitit 2024.
Njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare vlerësojnë se kjo e dobëson aftësinë e vendit për të komunikuar interesat e veta në një sistem politik si ai amerikan, ku lobimi luan rol kyç në formësimin e qëndrimeve dhe vendimmarrjes.
Donika Emini thekson se SHBA-ja funksionon ndryshe nga Bashkimi Evropian dhe se pa struktura profesionale lobimi, Kosova rrezikon të mbetet jashtë vëmendjes politike në Uashington, sidomos në një kohë kur elitat politike amerikane kanë ndryshuar dhe njohja për Ballkanin nuk është më prioritet. Ndërkohë, Serbia ka gjashtë kontrata aktive lobimi në SHBA, Bosnje e Hercegovina 14, ndërsa Shqipëria katër, çka e vendos Kosovën në disavantazh në betejën për ndikim politik dhe narrativë ndërkombëtare. Profesor Vesko Garçeviq paralajmëron se pa lobistë që informojnë dhe ndërmjetësojnë nga brenda sistemit amerikan, Kosova rrezikon t’i keqkuptojë prioritetet e SHBA-së dhe të humbasë mbështetje në çështje të ndjeshme të sigurisë dhe dialogut me Serbinë. Institucionet e Kosovës nuk kanë dhënë ende sqarime zyrtare për arsyet e mungesës së kontratave aktive të lobimit, ndërsa deklarimet e mëhershme për vazhdimin e bashkëpunimit me kompani lobimi të kontraktuara në vitin 2023 nuk janë konkretizuar. Në një klimë ku marrëdhëniet Kosovë SHBA kanë njohur tensione dhe ku vendi është përfshirë në listën e pezullimit të përkohshëm të vizave të emigrimit nga SHBA-ja, analistët vlerësojnë se lobimi nuk është vetëm çështje imazhi, por një domosdoshmëri strategjike për të mbrojtur interesat politike dhe të sigurisë së Kosovës./REL, transmeton oranews.




