2.1 C
Zurich
Thursday, January 22, 2026
spot_img
spot_img

Takim në Davos: Kurti dhe Mickoski bashkëbisedojnë për marrëdhëniet mes Kosovës dhe RMV-së

Duhet ti lexosh

DAVOS, 22 janar 2026 – Në kuadër të Forumit Botëror Ekonomik që po mbahet në Davos të Zvicrës, një nga platformat më prestigjioze globale për dialog politik dhe ekonomik, ka ndodhur një takim me rëndësi të veçantë për marrëdhëniet rajonale. Sipas burimeve të helveticALforum, Ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bernë, z. Rexhep Demiri, ka realizuar një takim të përbashkët ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, dhe Kryeministrit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Hristijan Mickoski.

Burimet bëjnë të ditur se takimi është aranzhuar drejtpërdrejt nga Ambasadori Demiri, i cili, në frymën e diplomacisë së hapur dhe fqinjësisë së mirë, ka ndërmjetësuar kontaktin mes dy kryeministrave, duke i ftuar ata në një bashkëbisedim miqësor dhe simbolik, që nisi me një shtrëngim duarsh mes liderëve.

Gjatë këtij takimi, Kryeministri Kurti dhe Kryeministri Mickoski kanë zhvilluar një bashkëbisedim të përzemërt dhe konstruktiv, ku në qendër të diskutimit kanë qenë marrëdhëniet e mira fqinjësore ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, si dhe domosdoshmëria e ruajtjes dhe avancimit të dialogut politik ndërmjet dy vendeve. Një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe thellimit të bashkëpunimit ekonomik, shkëmbimeve tregtare, projekteve infrastrukturore dhe bashkëpunimit rajonal në përgjithësi.

Bisedimet janë zhvilluar në një frymë mirëkuptimi dhe respekti reciprok, duke theksuar rëndësinë e stabilitetit politik në Ballkanin Perëndimor, forcimin e bashkëpunimit ndërfqinjësor dhe koordinimin e përbashkët në kuadër të proceseve integruese evropiane. Të dy kryeministrat kanë nënvizuar nevojën që vendet e rajonit të flasin me më shumë bashkëpunim dhe vizion të përbashkët në arenën ndërkombëtare.

Ambasadori Rexhep Demiri, i cili po qëndron në Davos në kuadër të Forumit Botëror Ekonomik, po zhvillon paralelisht edhe një sërë takimesh të tjera me përfaqësues institucionalë, diplomatë dhe personalitete të rëndësishme ndërkombëtare. Sipas burimeve, këto takime kanë në fokus forcimin e rolit diplomatik të Maqedonisë së Veriut, promovimin e bashkëpunimit ekonomik, si dhe krijimin e urave të reja të komunikimit me partnerë strategjikë.

Forumi Botëror Ekonomik në Davos vazhdon të mbetet një platformë kyçe globale për dialog, ide dhe bashkëpunim ndërkombëtar, ndërsa takimet e nivelit të lartë ndërmjet përfaqësuesve të vendeve të Ballkanit Perëndimor dëshmojnë qartë angazhimin e tyre për avancimin e marrëdhënieve ndërshtetërore, stabilitetin rajonal dhe promovimin e interesave të përbashkëta në skenën ndërkombëtare./ helveticALforum.ch.

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Të ngjashme