Forca Delta, e njohur zyrtarisht si Divizioni i Parë Operacional i Forcave Speciale, është një nga njësitë më të fshehta dhe më të përgatitura të ushtrisë amerikane. Misionet kryesore të saj janë ato kundër terrorizmit, por për shkak të kapaciteteve të larta, angazhimi i tyre shkon përtej kësaj.
Forcat Delta janë të specializuara në kapjen ose eliminimin e objektivave me rëndësi të lartë, kryerjen e operacioneve në territore armike, shpëtimin e pengjeve dhe operacione të fshehta të lidhura shpesh herë me agjencitë e inteligjencës.
Operativët e saj janë zakonisht nën autoritetin e Komandës së Bashkuar të Operacioneve Speciale dhe veprojnë ngushtë me CIA-n. Për shkak të fshehtësisë, Pentagoni rrallë herë njofton për operacionet e tyre.
Njësia u formua në vitin 1977, e frymëzuar nga regjimenti britanik Shërbimi Ajror Special, SAS. Themeluesi i saj, koloneli Charles Beckwith e konsideroi të nevojshme krijimin e një force me precizon ekstrem, në gjendje të reagojë me shpejtësi.
Me kalimin e kohës, Forca Delta fitoi reputacionin e një trupe të jashtëzakonshme. Një nga misionet më të njohura të saj është ai i vitit 2019, që çoi në vrasjen e liderit të Shtetit Islamik në Siri, Abu Bakr al Baghdadi.
Nëse konfirmohet se arrestimi i Nicolas Maduro u krye nga njësia në fjalë, atëherë kjo do të shënonte përdorimin e saj për kapjen e një prej figurave me profilin më të lartë në Hemisferën Perëndimore. Dhe, aspektet strategjike të operacionit janë të shumta:
Së pari, ato tregojnë vullnetin e SHBA për t’i vendosur forcat elitë përtej fushave tipike të betejës.
Së dyti, kjo tregon ndryshimin e shpejtë të politikave të administratës amerikane, nga sanksionet tek aksioni.
Gjithashtu, operacioni ngre pyetje mbi respektimin e sovranitetit, stabilitetit rajonal dhe normave globale.
Por mbi të gjitha, përdorimi i trupave elitë për të arrestuar një kryetar shteti sjell ndryshimin e mënyrës sesi kombet shohin pushtetin e Shteteve të Bashkuara dhe limitet e ndërhyrjeve ushtarake, transmeton euronewsal.




