Në prag të ndërrimit të viteve, aktori dhe regjisori i mirënjohur Prof. Adem Kicaj, i cili jeton dhe vepron prej vitesh në Zvicër, ka ndarë me publikun një njoftim dhe urim të veçantë, duke sjellë njëkohësisht edhe një lajm të rëndësishëm për artdashësit e filmit dhe teatrit.

Pas një jete të tërë të përkushtuar artit skenik dhe kinematografik, Adem Kicaj konfirmon se kinofilmi i tij më i ri, i cili gjatë këtij viti po përgatitet për prezantim, do të udhëtojë në festivale ndërkombëtare të filmit.
Filmi mban titullin “BIRTH OF THE PRINC”, me skenar dhe regji nga vetë Adem Kicaj, dhe realizohet në bashkëpunim me International Film & Theater Production Akademi (IFTP), si dhe me shtëpitë filmike “Fama Film” dhe “Moonlicht Media”, në një bashkëprodhim Zvicër–Kosovë. Ky projekt përfaqëson një tjetër hap të rëndësishëm në karrierën e regjisorit, duke synuar të sjellë art cilësor dhe përfaqësim dinjitoz në skenën ndërkombëtare.
Në mesazhin e tij të fundvitit, Kicaj u drejtohet të gjithë artdashësve me një urim të ngrohtë për vitin që vjen:
“Të gjithë artdashësve ju uroj vitin 2026 me shumë art të mirëfilltë, cilësor dhe krijimtari që pasuron shpirtin.”

Me fjalë plot mirënjohje dhe miqësi, ai e mbyll mesazhin e tij me urimin:
“Gëzuar 2026, miqësia ime!”
Viti i ri pritet të jetë një vit i suksesshëm për Adem Kicajn dhe për artin shqiptar në përgjithësi, me projekte që tejkalojnë kufijtë dhe afirmojnë vlerat kulturore në arenën ndërkombëtare, transmeton heleveticALforum.ch




