1.2 C
Zurich
Wednesday, December 31, 2025
spot_img
spot_img

Diplomaci aktive deri në fund të vitit: Takim institucional në Ambasadën e RMV-së në Bernë

Duhet ti lexosh

Nga Dashnim HEBIBI

Dyert e Ambasadës së RMV-së në Bernë të hapura edhe në ditën e fundit të vitit: Ambasadori Rexhep Demiri me angazhim dhe vizion për vitin 2026

Bernë, 31 dhjetor 2025 – Edhe në ditën e fundit të vitit, dyert e Ambasadës së Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bernë kanë qenë të hapura, duke dëshmuar përkushtimin institucional dhe angazhimin e pandërprerë në shërbim të shtetit dhe qytetarëve.

Siç mëson HelveticALforum, qysh në orën 06:45 të mëngjesit, ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Zvicër, Shkëlqesia e Tij z. Rexhep Demiri, ka qenë i pranishëm në ambientet e ambasadës, duke reflektuar mbi punën e realizuar gjatë vitit që po lëmë pas, si dhe duke hedhur vështrimin drejt prioriteteve dhe sfidave të vitit 2026.

Sipas burimeve të HelveticALforum, dita e sotme ka qenë e ngarkuar edhe me aktivitete të rëndësishme diplomatike. Në orët e paradites, ambasadori Demiri ka zhvilluar një takim të veçantë dhe me peshë institucionale në ambientet e ambasadës.

Në këtë kuadër, ambasadori Demiri pati nderin të presë gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Naser Ajdari. Ky takim u vlerësua si një moment domethënës i respektit institucional dhe i vlerësimit të ndërsjellë ndërmjet përfaqësuesve të lartë të institucioneve shtetërore.

“Ky takim përbën një hap të rëndësishëm në drejtim të forcimit të dialogut dhe bashkëpunimit ndërinstitucional,” theksohet në deklaratën zyrtare të ambasadës, duke nënvizuar rëndësinë e koordinimit dhe komunikimit të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve, si brenda vendit ashtu edhe në përfaqësitë diplomatike jashtë tij.

Edhe në deklaratën e publikuar në gjuhën maqedonase, theksohet se kjo vizitë përfaqëson një shprehje të qartë të respektit institucional dhe të angazhimit të përbashkët për avancimin e vlerave kushtetuese dhe shtetërore të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Angazhimi i ambasadorit Demiri, edhe në ditën e fundit të vitit, shihet si një mesazh i qartë se diplomacia nuk njeh pushim kur bëhet fjalë për interesat e shtetit, forcimin e institucioneve dhe përfaqësimin dinjitoz të vendit në arenën ndërkombëtare.

Ambasada e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bernë vazhdon kështu të dëshmojë një qasje aktive, serioze dhe vizionare, duke mbyllur vitin me punë konkrete dhe duke e nisur vitin e ri me përgjegjësi dhe përkushtim ndaj misionit diplomatik.

helveticALforum.ch

- Reklama -spot_img

Më shumë artikuj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Reklama -spot_img

Të ngjashme