Qytetarët shqiptarë dhe bizneset vendase janë një hap më pranë komunikimit pa kosto shtesë me vendet e Bashkimit Evropian. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nxjerrë të martën (30 dhjetor) për konsultim publik projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 54/2024 ‘Për komunikimet elektronike’”, i cili synon përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë evropian për zbatimin e regjimit “Roaming Like At Home” (RLAH).
Nisma ligjore vjen në kuadër të procesit të integrimit të përshpejtuar të Shqipërisë në tregun unik digjital të BE-së. Sipas relacionit shoqërues të projektligjit, objektivi politik është që “zbatimi efektiv i tarifave zero për roaming me BE-në të realizohet në vitin 2026”.
Çfarë sjell ligji i ri?
Projektligji parashikon disa ndryshime thelbësore që i japin autoritet rregullatorit shqiptar (AKEP) dhe operatorëve për të aplikuar tarifat e reja:
AKEP do të ketë kompetencën të miratojë vendime lidhur me tarifat maksimale për roamingun dhe “Politikën e Përdorimit të Drejtë” (FUP). Kjo e fundit shërben për të shmangur abuzimet me roamingun falas gjatë qëndrimit jashtë vendit, shkruan rtsh.al.
Projektligji zyrtarizon bashkëpunimin e plotë të AKEP me Organin e Rregullatorëve Evropianë për Komunikimet Elektronike (BEREC), duke përfshirë shkëmbimin e informacionit dhe pjesëmarrjen në strukturat e tij.
Për herë të parë, shtohen dispozita ndëshkuese administrative (gjoba) për operatorët që nuk do të respektojnë rregullat e reja të shërbimit roaming.
Ligji harmonizon tarifat e terminimit të thirrjeve zanore me shumicë (wholesale), një hap teknik i domosdoshëm për të mundësuar uljen e kostove për përdoruesin fundor.
Impakti te qytetarët
Realizimi i RLAH do të thotë se qytetarët shqiptarë që udhëtojnë në vendet e BE-së do të mund të përdorin minutat, SMS-të dhe internetin e paketës së tyre kombëtare pa kosto shtesë, njëlloj siç ndodh aktualisht me vendet e Ballkanit Perëndimor. E njëjta gjë do të vlejë edhe për qytetarët evropianë që vizitojnë Shqipërinë, duke ndikuar pozitivisht në turizëm dhe në klimën e biznesit.
Palët e interesuara kanë afat 20 ditë nga shpallja e njoftimit për të dërguar komentet dhe rekomandimet e tyre lidhur me këtë projektligj, para se ai të kalojë për miratim në Këshillin e Ministrave dhe më pas në Kuvend, transmeton rtsh.




