BallinaDiasporaNga Universiteti i Prishtinës te Universiteti Teknik i Mynihut: Rrugëtimi i doktorit...

Nga Universiteti i Prishtinës te Universiteti Teknik i Mynihut: Rrugëtimi i doktorit Granit Thaqi

-

Prishtinë – Nga auditorët e Universitetit të Prishtinës deri te një prej universiteteve më të njohura të Evropës, rrugëtimi akademik i doktorit Granit Thaqi është një shembull i përkushtimit, punës dhe zhvillimit të vazhdueshëm në fushën e shkencës. Thaqi, i diplomuar në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë të Universitetit të Prishtinës, më 18 shtator 2026 përfundoi me sukses studimet e doktoratës në Universitetin Teknik të Mynihut, në katedrën e Fiziologjisë dhe Imunologjisë së Shtazëve, në Shkollën e Shkencave të Jetës. Duke reflektuar mbi rrugëtimin e tij akademik, Thaqi vlerëson lart formimin që mori në Universitetin e Prishtinës, duke e cilësuar atë si një bazë të rëndësishme për përballimin e sfidave gjatë studimeve të avancuara në Gjermani.

“Universiteti i Prishtinës më përcolli vlera dhe më dha një bazë të fortë arsimore, që më ndihmoi t’i përballoja me vetëbesim situatat e paqarta. UP na pajisi me njohuri, aftësi shoqërore dhe aftësinë për ta zbatuar me maturi atë që mësuam”, shprehet Thaqi.

“Në UP na inkurajonin të bënim pyetje”

Një prej elementeve që ai veçon nga studimet në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë është qasja ndaj kërkimit shkencor dhe nxitja për të menduar në mënyrë kritike. “Në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë, si pjesë e formimit tim si veterinar, u inkurajuam të bënim pyetje, të vlerësonim provat dhe t’i komunikonim qartë idetë. Këto aftësi kanë qenë thelbësore për zhvillimin tim”, thotë ai. Doktorata e Thaqit u fokusua në faktorët metabolikë që ndikojnë në fiziologjinë e riprodhimit të shtazëve, një fushë e specializuar e kërkimit shkencor dhe bioteknologjisë së riprodhimit. Në këtë rrugëtim, një rol të veçantë ka pasur profesori dhe mentori i tij, prof. Bajram Berisha, të cilin Thaqi e përmend si një prej figurave më të rëndësishme në formimin e tij akademik. “Profesor Berisha ka qenë një burim i madh motivimi që nga ditët e para kur isha student i tij në FBV. Ai është ndër të paktët profesorë që ndërthur kërkimin shkencor me mësimdhënien”, shprehet Thaqi. Marrëdhënia e tyre profesionale ka vazhduar edhe pas përfundimit të studimeve. Nga raporti student-profesor, bashkëpunimi është shndërruar në një marrëdhënie kolegiale dhe shkencore, me publikime dhe hulumtime të përbashkëta.

“Pata fatin të jem bashkautor me të në disa artikuj shkencorë dhe çdo bashkëpunim më solli mësime të vlefshme e njohuri të reja. Ishte nder të punoja me të, ndërsa këshillat dhe ekspertiza e tij më ndihmuan t’i kapërceja më lehtë sfidat”, tregon Thaqi. Prof. Bajram Berisha aktualisht është profesor vizitor në Universitetin Teknik të Mynihut dhe mban titullin e ambasadorit të nderit. Ai është vlerësuar gjithashtu nga platforma ndërkombëtare AD Scientific Index ndër 100 shkencëtarët më të mirë të Evropës në fushën e bujqësisë dhe pylltarisë.

Nga doktoratura drejt kërkimit shkencor

Pas përfundimit të doktoratës, Thaqi ka vazhduar angazhimin e tij në Universitetin Teknik të Mynihut, ku po punon si studiues pasdoktoral në fushën e fiziologjisë dhe bioteknologjisë së riprodhimit të shtazëve. Sipas tij, TUM-i krijon një mjedis që nxit kërkimin, kreativitetin dhe zhvillimin e metodave të reja shkencore.

“I njohur për nxitjen e diversitetit dhe krijimtarisë, TUM-i u ofron studiuesve aftësi të gjera dhe i përgatit ata të trajtojnë pyetje komplekse shkencore, të çojnë përpara kërkimin, të zhvillojnë ekspertizë në analizën e të dhënave biologjike dhe të krijojnë metoda e zbatime të reja”, shpjegon ai. Pavarësisht arritjeve të tij akademike në Gjermani, Thaqi thotë se lidhja me Universitetin e Prishtinës mbetet e veçantë.

“Gjatë studimeve të doktoraturës dhe angazhimit tim në komunitetin shkencor, e kam përfaqësuar me krenari Universitetin e Prishtinës si një nga të diplomuarit e tij dhe do të jem gjithmonë i hapur për forma të ndryshme bashkëpunimi me të”, përfundon ai. Rrugëtimi i Granit Thaqit nga Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë në Prishtinë drejt doktoratës dhe punës kërkimore në Universitetin Teknik të Mynihut tregon rëndësinë e formimit akademik, bashkëpunimit shkencor dhe përkushtimit personal në ndërtimin e një karriere ndërkombëtare në shkencë, transmeton Universiteti i Prishtinës, përcjell helveticALforum.ch.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Konjufca kërkon përfshirjen e plotë të Kosovës në Korridorin VIII

0
Sofje – Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Glauk Konjufca, ka kërkuar përfshirjen e plotë të Kosovës në rrjetin e Korridorit VIII, duke...