Federata “Vatra” përshëndet zhvillimin e Zgjedhjeve Parlamentare në Kosovë dhe uron Kryeministrin Albin Kurti e Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren
Federata Panshqiptare e Amerikës “Vatra”, përshëndet zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare në Republikën e Kosovës, të cilat u mbajtën në mënyrë të lirë, demokratike dhe transparente. Publikimi i shpejtë i rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përbën një dëshmi të qartë të pjekurisë institucionale dhe demokratike të shtetit të Kosovës.
Këto zgjedhje konfirmuan edhe një herë se Kosova është ndër vendet më demokratike në rajon, me institucione që funksionojnë dhe me një qytetari të ndërgjegjshme, e cila dëshmoi kulturë të lartë demokratike, qetësi dhe përgjegjësi qytetare gjatë gjithë procesit zgjedhor. Për këtë, populli i Kosovës meriton respektin dhe vlerësimin më të lartë.
Në këtë frymë, Federata “Vatra” e uron Kryeministrin Albin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren e arritur në këto zgjedhje, si shprehje e vullnetit të lirë të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Po ashtu, përgëzojmë edhe subjektet politike për një garë korrekte, dinjitoze dhe për respektimin e rezultatit zgjedhor. Kur zgjedhjet janë të ndershme dhe konkurruese, fiton demokracia, fiton populli dhe fiton shteti.
Tani është koha për veprim të shpejtë, të përgjegjshëm dhe vizionar. Kosova ka nevojë urgjente për institucione të qëndrueshme dhe funksionale, në shërbim të qytetarëve dhe interesit shtetëror. Krijimi i një qeverie stabile duhet të jetë prioritet absolut, pa humbur kohë të çmuar.
Të zgjedhurit e popullit në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe qeveria e ardhshme duhet të fokusohen në synimet strategjike të vendit: forcimin e ekonomisë, garantimin e sigurisë dhe mbrojtjes së Kosovës, ndërtimin dhe konsolidimin e kapaciteteve shtetërore, si dhe avancimin e vendosur drejt anëtarësimit në NATO dhe integrimeve euroatlantike.
Marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten dhe duhet të mbeten shtylla kryesore e politikës së jashtme dhe e sigurisë së Republikës së Kosovës. Federata “Vatra”, si zëri historik i diasporës shqiptare në SHBA, riafirmon përkushtimin e saj të palëkundur për forcimin e këtij partneriteti strategjik jetik për të ardhmen e Kosovës dhe apelon për një koalicion të qëndrueshëm për tejkalimin e krizave politike dhe nënshkrimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, anëtarësimi në NATO, marrëveshja me Bankën Botërore etj.
Kosova dëshmoi se di të organizojë zgjedhje të lira dhe demokratike. Tani është momenti për të ecur përpara me qeverisje të mirë, me unitet politik dhe me vizion të qartë për të ardhmen euroatlantike të vendit.
Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës dhe mbarë popullin shqiptar.
Federata Panshqiptare e Amerikës “Vatra”,
Kryetari,
Dr. Elmi Berisha




