Qytetarët e Kosovës sot u drejtohen kutive të votimit në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ndërsa procesi i votimit për mërgimtarët ka përfunduar mbrëmë në shumicën e përfaqësive diplomatike të Kosovës.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), votimi është përmbyllur në 25 përfaqësi diplomatike në shtete si: Turqia, Gjermania, Zvicra, Franca, Belgjika, Norvegjia, Austria, Suedia, Sllovenia, Danimarka, Italia, Kroacia, Holanda, Republika Çeke, Hungaria dhe Mbretëria e Bashkuar. Ndërkohë, votimi në katër përfaqësi të tjera në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada do të përfundojë në orën 01:00 të ditës së diel, sipas kohës lokale në Kosovë.
Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, njoftoi se gjatë gjithë ditës së votimit jashtë vendit, Komisioni ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësitë diplomatike dhe se procesi është zhvilluar pa asnjë pengesë.
“Sipas të dhënave nga 25 përfaqësitë diplomatike ku votimi është mbyllur, si dhe nga raportimet e orës 13:00 për votimin në SHBA dhe Kanada, nga gjithsej 19 mijë e 187 votues të regjistruar, kanë votuar 81.29 për qind, apo 15 mijë e 597 votues”, deklaroi Radoniqi.
Bazuar në procedurat ligjore, fletëvotimet e hedhura në përfaqësitë diplomatike nuk do të numërohen jashtë vendit, por do të dërgohen në Kosovë, ku edhe do të bëhet numërimi i tyre gjatë ditëve në vijim.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, numri i përgjithshëm i votuesve është 2 milionë e 76 mijë e 290. Prej tyre, 1 milion e 999 mijë e 204 votues janë brenda territorit të Kosovës, ndërsa 77 mijë e 86 janë të regjistruar për votim jashtë vendit./BS




