Procesi i votimit në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Gjenevë u përmbyll me sukses, duke u karakterizuar nga një organizim i rregullt dhe pjesëmarrje dinjitoze e qytetarëve.
Sipas njoftimit zyrtar nga Konsullata e Përgjithshme e Kosovës në Gjenevë, bashkatdhetarët treguan nivel të lartë maturie dhe qytetarie gjatë gjithë zhvillimit të procesit të votimit, duke kontribuar në mbarëvajtjen e tij pa pengesa.
Në këtë rast, Konsullata shprehu falënderime të veçanta për të gjithë qytetarët që ushtruan të drejtën e tyre demokratike, si dhe për komisionerët, vëzhguesit dhe stafin mbështetës, të cilët me korrektësi, seriozitet dhe përkushtim siguruan zhvillimin e rregullt të procesit zgjedhor.
Autoritetet konsullore theksuan se angazhimi dhe bashkëpunimi i të gjithë akterëve ishte thelbësor për përfundimin me sukses të votimit, duke reflektuar përgjegjësi qytetare dhe respekt ndaj proceseve demokratike të Republikës së Kosovës.
Ky proces dëshmon edhe një herë rolin aktiv dhe të rëndësishëm të diasporës kosovare në jetën demokratike të vendit, transmeton helveticALforum.ch




