Milano, 27 dhjetor 2025 – Veprimtari i njohur dhe publicist, Arsim Mulliqaj, i cili prej vitesh jeton dhe vepron në Milano të Italisë, ka ushtruar sot të drejtën e tij të votës në Milano, në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit.
Pas procesit të votimit, z. Mulliqaj ka uruar Kosovën për ditë më të mira dhe një të ardhme më të ndritur, duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes qytetare në proceset demokratike. Ai u ka bërë thirrje të gjithë bashkatdhetarëve në mërgatë që të dalin dhe të votojnë, duke nënvizuar se vota është jo vetëm e drejtë, por edhe obligim moral dhe kombëtar për të mirën e Kosovës.

“Çdo votë ka peshë dhe ndikon drejtpërdrejt në të ardhmen e vendit tonë. Mërgata ka dhënë dhe vazhdon të japë shumë për Kosovën, prandaj pjesëmarrja në zgjedhje është një përgjegjësi që nuk duhet anashkaluar,” ka deklaruar për helveticALforum.ch, z. Mulliqaj.
Ai ka theksuar se procesi i votimit në Milano ka qenë i rregullt dhe i organizuar në mënyrë shembullore, duke vlerësuar posaçërisht pritjen dhe angazhimin e Konsullit të Përgjithshëm, z. Diamant Kastrati, të cilin e cilësoi si një personalitet të dashur dhe korrekt. Sipas tij, i gjithë procesi ka rrjedhur pa probleme dhe është për t’u lavdëruar organizimi institucional.
Në fund, Mulliqaj ka shtuar se angazhimi i qytetarëve, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, është çelësi për ndërtimin e një shteti demokratik, të drejtë dhe të zhvilluar, duke shprehur besimin se Kosova do të ecë përpara përmes vendimeve të mençura dhe pjesëmarrjes aktive të popullit të saj, transmeton helveticALforum.ch




