Krishtlindja – Luzern 2025
Kërshëndellat, siç e meritojnë, u festuan me solemnitet dhe ngrohtësi të madhe në pesë Meshët e shenjta ndërmjet Vigjiljes dhe Ditës së festës. Pjesëmarrja e madhe, e shoqëruar me përshpirtëri, lutje, adhurim dhe kulturë të lartë të krishterë, i dha kësaj feste një shije, gëzim dhe përjetim vërtet të bukur.

Falënderime të veçanta shkojnë për Këshilltarët e Misionit, anëtarët e korit, lexuesit, ministrantat, shpërndarësit e Kungimit, ata që përgatitën zjarrin dhe verën, si dhe të rinjtë e të rejat që shërbyen me përkushtim dhe dashuri, veçanërisht në Mbrëmjen Familjare “Krishtlindja 2025”.
Si zakonisht, edhe këtë vit, disa nga vëllezërit dhe motrat tona të gjakut, të feve të ndryshme nga e jona, morën pjesë në Meshën e shenjtë dhe erdhën me dëshirë për të festuar së bashku me ne.

Vlen të përmendet përfaqësimi i shtetit tonë në ditën e festës në Sursee nga Ambasadori i Republikës së Kosovës në Bernë, z. Mentor Latifi, dhe në vigjilje të Krishtlindjes në Emmenbrücke nga Konsulli i Republikës së Kosovës në Cyrih, z. Vigan Berisha.

I falënderojmë të gjithë për respektin dhe pjesëmarrjen e tyre.
E falënderojmë Zotin për të gjitha të mirat që na ka dhënë dhe lutemi që bekimet e Krishtlindjeve të na shoqërojnë gjithmonë në jetën tonë personale dhe familjare.

Gëzuar Kërshëndellat!, transmeton Misioni Katolik Shqiptar-Luzern të Zvicrës.
Foto: Nue Tuqi dhe Martin Musaj




