
Nga Ph.D. Dashnim HEBIBI
Pse po helmohet dhe po përçahet mërgata jonë?
Çfarë është bërë realisht për të?
Ku është gjenerata e re e mërgatës dhe a po humbet lidhja me atdheun e të parëve?
Mërgata nuk është trampolinë politike, as makineri votash dhe as fabrikë parash që aktivizohet vetëm në kohë fushatash.
Sot, fatkeqësisht, mërgata kujtohet me ate që kemi parë gjatë këtij dhjetëvjeçari vetëm kur afrohen zgjedhjet. Vizita, premtime, fjalë të mëdha dhe fotografi – e pas zgjedhjeve, harresë totale. Kjo sjellje ka krijuar mosbesim të thellë dhe zhgënjim të vazhdueshëm, sidomos tek gjeneratat e reja që janë lindur, rritur dhe shkolluar në diasporë.
Mërgata – dje, sot dhe nesër arteria kryesore e atdheut
Pa asnjë dilemë, arteria kryesore e atdheut ka qenë, është dhe do të mbetet mërgata. Kontributi i saj ekonomik, kulturor, politik dhe kombëtar është i pakontestueshëm. Mirëpo, përkundër këtij realiteti, pushtetet shqiptare pothuajse nuk po bëjnë asgjë – hiq asgjë – për mërgatën. Diaspora shihet si burim remitencash dhe votash, jo si partner strategjik për zhvillim. Ky është gabim historik që po i kushton shtrenjtë shtetit dhe kombit.
Jeta kulturore në mërgatë – e lënë në mëshirë të fatit
Jeta kulturore shqiptare në diasporë është në gjendje alarmante. Mbështetja financiare dhe institucionale shpesh përfundon me siguri nga ajo që po shohim tek individë apo shoqata që kanë lidhje politike. Meritokracia mungon pothuajse plotësisht. Projektet serioze mbesin në letër, ndërsa favorizohen ata që kanë “njohje” ose janë militantë partie. Shembull domethënës është LAPSH “Naim Frashëri” në Zvicër, e cila përballet me vështirësi serioze financiare dhe organizative. Librat dërgohen po i bie sa për sy e faqe, ndërsa përfaqësuesit institucionalë shfaqen vetëm kur kanë nevojë për promovim medial. Pushtetet ndërrohen, por gjendja mbetet e njëjtë.
Shoqatat kulturore shqiptare janë mushkëritë e identitetit kombëtar në diasporë. Pa to, rrezikohet gjuha, kultura dhe vetëdija kombëtare e brezave që po vijnë.
Diaspora e vetëorganizuar, por e injoruar nga institucionet
Diaspora shqiptare ka dëshmuar se di të vetëorganizohet dhe të prodhojë ide, projekte dhe vizion. Por pa përkrahje shtetërore, këto iniciativa mbesin të bllokuara.
Projektet e hartuara prej vitesh presin ende:
- Universitet Shqiptar në Zvicër
- Bibliotekë Shqiptare në Zvicër
- Muze i Diasporës në Prishtinë dhe Tiranë
- Bankë Shqiptare në Zvicër
- Kinema Shqiptare në Zvicër
- LAPSH “Naim Frashëri” më e fortë dhe më e bashkuar
- Radio-Televizion i Diasporës, i qëndrueshëm dhe profesional
Asnjëra nga këto nuk është penguar nga shteti zviceran. Përkundrazi, Zvicra ka qenë shembull mikpritjeje dhe mbështetjeje. Pengesa ka ardhur nga mungesa e vullnetit politik të shteteve tona.
Zgjedhjet e dhjetorit – të votohet, por të mos mashtrohemi
Zgjedhjet parlamentare të dhjetorit janë të rëndësishme dhe duhet votuar. Por nuk duhet të mashtrohemi. Sepse përvoja na ka mësuar se sapo pushteti konsolidohet, mërgata harrohet. Duhet votuar me mendje të ftohtë, pa emocione partiake, pa nostalgji dhe pa iluzione. Nuk votohet vetëm një individ, por një ekip, një filozofi qeverisëse dhe një performancë e dëshmuar. Deputetët duhet të kenë profil, guxim dhe zë për ta përfaqësuar diasporën, jo të jenë dekor partiak.
Investimet dhe gjenerata e re e mërgatës
Gjeneratat e reja të diasporës kanë mentalitet tjetër ekonomik dhe profesional. Ata nuk investojnë aty ku sundon burokracia, vonesat dhe pasiguria ligjore. Nëse shteti nuk krijon kushte serioze, këta të rinj do ta humbin përfundimisht interesin për atdheun.
Kosova tashmë është shtet. Nuk mjafton më retorika patriotike. Duhet strategji konkrete për diasporën: ligje funksionale, lehtësira investimi, përfaqësim dinjitoz dhe përfshirje reale në vendimmarrje.
Përfundim: mërgata nuk kërkon fjalë, por veprime
Mërgata shqiptare nuk kërkon favore, por respekt, meritokraci dhe politika të qëndrueshme. Jo vetëm në prag zgjedhjesh, por çdo ditë. Sepse pa mërgatën, atdheu dobësohet.
Arteria kryesore e kombit nuk duhet të rrahë vetëm në dhjetor, por gjatë gjithë vitit. Nëse pushteti vazhdon të mos bëjë asgjë për mërgatën, atëherë mos të habitet kur besimi të shterojë.
Diaspora shqiptare po mbulohet nga politikanë vetëm gjatë fushatave zgjedhore, me vizita të shpeshta, fjalime patriotike dhe premtime që rrallëherë shndërrohen në veprime konkrete. Pas mbylljes së kutive të votimit, ajo mbetet sërish në hije, pa strategji, pa mbështetje institucionale dhe pa përfitime reale.
Mërgata nuk po fiton as politika zhvillimore, as përfaqësim dinjitoz, as mbështetje për arsimin, kulturën dhe projektet e saj afatgjata. Ajo shfrytëzohet si numër votash dhe burim financiar, por jo si partner i barabartë në ndërtimin e shtetit. Kjo qasje e konsumuar po e largon diasporën, sidomos gjeneratat e reja, të cilat nuk lidhen më me fjalë, por me vepra.
Nëse diaspora vazhdon të mbulohet vetëm me flamuj dhe slogane zgjedhore, ndërsa pas zgjedhjeve harrohet, atëherë humbja nuk do të jetë vetëm e saj, por e gjithë atdheut. Sepse një shtet që nuk investon në diasporën e vet, po pret vetë arterien që e mban gjallë. /helveticALforum.ch




